Victoire Ingabire, figura kryesore e opozicionit ndaj presidentit Paul Kagame, reagonte sot me zhgënjim pas vendimit të gjykatës kundër kërkesës së saj për rivendosjen e të drejtave për kandidim në zgjedhjet presidenciale të 15 korrikut.
“Unë prisja që ligji të respektohej,” thotë ajo teksa vetëm dy kandidatë janë deklaruar deri tani në zgjedhje, presidenti autoritar Paul Kagame që sundon prej vitit 1994 dhe Frank Habineza, kreu i partisë së gjelbër që mori vetëm 0.45% të votave në zgjedhjet e fundit në 2017.
Ingabire, kritike e ashpër e regjimit aktual, ka kaluar tetë vjet në burg para se të merrte faljen në vitin 2018 që ndërpreu dënimin e sja me 15-vjet.
Ajo i kishte kërkuar gjykatës së Kigali ta lejonte të kandidonte, megjithë ligjin e ndalimit për persona që janë dënuar me 6 muaj ose më shumë burg.
“Nuk e pranoj këtë vendim se është i politizuar, duket qartë se kemi një vend ku gjykatat nuk janë të pavarura”, tha Ingabire për rrjetin AFP pas vendimit .
Sondazhet në vend thonë se Kagame pritet të fitojë mandatin e shtatë radhazi, pasi realizoi ndryshimet në kushtetutë me të cilat mund të sundojë deri në vitin 2034.
Politikanë të shumtë opozitarë janë zhdukur, vrarë ose burgosur vitet e fundit në vend.
Top Channel