Ligji për Zonat e Mbrojtura, Kumbaro: Sjell rregulla më strikte. Nuk ka asnjë projekt në Parkun e Divjakës!

7 months ago 12
11:53 22/02/2024

Ligji për Zonat e Mbrojtura u miratua sot në Kuvend me 74 vota pro. Por përpos kundërshtive nga ana e opozitës për këtë ligj, pati dhe protestë jashtë ambienteve të Parlamentit. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e cilësoi një nismë të finalizuar pas shumë konsultimeve publike dhe takimeve me përfaqësues të shoqërisë civile apo organizatave mjedisore.


“Sot kemi votuar ligjin për zonat e mbrojtura. Vjen në Parlament si një nismë deputetësh e cila në fakt merr shkas nga një kërkesë e shumë kryetarëve bashkish të cilët duke mos qenë admnistratorë e një pjese gjithnjë e më të madhe të territorit në bashkitë e tyre, sigurisht kanë pasur të drejtën legjitime për të kërkuar një tjëtër bashkëpunim. Në informacionin e të gjithëve, në transmetime direkte ka pasur shumë konsultime publike, janë dërguar emaile, letra…Edhe unë vetë kam pasur takime formale dhe informale me përfaqësues të shoqërisë civile, kryesisht me organizatat mjedisore që për hir të së vërtetës edhe vetë, por edhe si qeveri u kemi njohur meritën në përpjekjen për emancipimin e shoqërisë shqiptare në ndryshimin e sjelljes ndaj natyrës dhe biodiversitetit. Sjell këtu një tjetër shenje të vullnetit që mazhorancës, po ashtu dhe të Parlamentit, që miratoi një tjetër ligj në Dhjetor.

Ai e integron Shqipërinë si shtet në Bashkimin Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës, për të ndjekur standardet e tyre. E gjitha kjo punë ka ecur në paralel. Dhe ligji i 2017-ës që në një zhvillim të ri dhe ndërgjegjësim të ri, edhe të rolit të njësive vendore bëri të nevojshme atë që deputetët e gjykuan për të bërë amendime. Qeveria është marrë shumë gjatë me atë draft-ligj. Unë vetë kam shprehur në takimet me shoqërinë civile që janë disa linja të kuqe që nuk duhet të preken sepse prekin thelbin e vetë ligjit. Të mos preken direktivat e BE që ne i kemi raportuar dhe në Qershor, kur morëm komplimente në punën e bërë. Në 2021-in, Shqipëria kishte 17.5% të territorit zonë e mbrojtur, me vendimet e 2022-it e çuam në 21.5%, pa llogaritur shtrirjen e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe të një tjetri Parku Kombëtar, ai i Porto Palermos. Nuk është kaq e lehtë që në një vend kaq të vogël si Shqipëria të kesh 1/5 e territorit zonë të mbrojtur.”

Kohët e fundit në media kanë qarkulluar lajmet për një projekt ndërtimi në Parkun e Divjakës. E pyetur lidhur me këtë, ministrja sqaroi se është lajm plotësisht i rremë.

Pyetje: Në Parkun e Divjakës aktualisht do ndërtohet një resort? Është e vërtetë?

Ministrja Mirela Kumbaro: Më lejoni t’ju jap një përgjigjie ju dhe gjithë opinionit publik. Fotografitë që kanë qarkulluar janë të pavërteta, nuk ka asnjë projekt të tillë që të ketë ardhur pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Turizimit, apo pranë qeverisë. Nuk ka asnjë shqyrtim të një projekti të tillë në Parkun Kombëtar të Divjakës, e gjitha është një përhapje lajmesh të pavërteta.

Kumbaro hodhi poshtë edhe pretendimin e Jorida Tabakut se do ketë “notë proteste nga BE për këtë ligj”.

“Ne me delegacionin evropian dhe gjithë partnerët ndërkombëtarë, kemi qenë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm.Nuk kemi një gjuhë për partnerët ndërkombëtare, një për publikun dhe një për vete. Është komunikim i ndarë me të gjithë. Nuk do të preket sipërfaqja e zonave të mbrojtura në versionin final, nuk do ketë ndarje territoresh me bashkitë, do vazhdojnë të administrohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Nuk mund të kemi fshirje të nënzonimeve në një park kombëtar apo natyror, por do kemi rregulla më të qarta. Sepse s’mund të kemi të njëjtat rregulla si në lagunë, si në mal, pyll apo lumë. Secila zonë ka tipologjitë e veta, mos harrojmë që në këto territore jetojnë njerëz prej shekujsh të cilët sot nuk kanë të drejtë të shtojnë një banesë apo biznes. Ligji që u miratua, japin rrugë për rregulla shumë më të qarta.”

Ministrja e shpjegoi efektin e këtij ligji te zonat e mbrojtura të Shqipërisë në këtë mënyrë:

Vetëm në ato nënzona të parashikuara edhe sipas parimeve të IUCN-së (International Union for Conservation of Nature) për aktivitete turistike, elitare, ekoturistike, agroturistike apo të turizmit të nivelit më të lartë, brenda kritereve shumë strikte të miratuara nga Ministria do jenë të mundura të zhvillohen me 3, 4 filtra shumë strikt, nga Agjencia deri te qeveria. Në këtë territor 28 mijë m2, mbrojtja më e mirë është kur kombinohen interesat e komunitetit lokal sepse nuk duam të na braktisen territoret. Të ruajmë lidhjen e njeriut me territorin, t’u japim mundësi shqiptarëve që të krijojnë ekonominë e tyre, rritje ekonomike, por pa cenuar diversitetin. Kjo bëhet vetëm me rregulla të qarta./tvklan.al


Read Entire Article