Lumbardh Dellova zgjidhet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligën e Kosovës

10 months ago 26
Reklamë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 12-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të Ballkanit, Lumbardh Dellova

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Flamur Sinani, Lulzim Rrmoku e Bujar Asllani.

Ky komision vendosi që qendërmbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova të shpallet “Ylli i Javës”, pasi ai me golin e tij vendosi fituesin e derbit të xhiros kundër Dritës me rezultat 1-0.

E pikërisht goli i Dellovës i mundësoi Ballkanit ta forcojë pozitën e parë në renditje. Portokallezinjtë vazhdojnë të mbesin të pamposhtur në këtë edicion.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e Ballkanit e ndau Andi Sadiku, dizajner grafik në Albi Group.

Pasi mori këtë çmim qendërmbrojtësi u shpreh i lumtur për fitoren dhe për vlerësimin si më i miri i xhiros.

“Jam shumë i lumtur për fitoren e po ashtu edhe për golin që e shënova në derbi. Ndeshja ishte e mirë duke e pas parasysh që ishim të lodhur pak si ekip, por e rëndësishme ishte të marrim tre pikë dhe jemi shumë të lumtur”.

“Jemi që dy vite me trajnerin Daja, nga eksperienca e të cilit kemi mësuar shumë. Duhet çdo ndeshje të futemi të motivuar, të bëjmë një hap drejt klubeve evropiane”, ka thënë Dellova për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/

Read Entire Article