Macron shkaktoi tension me deklaratën e tij, pezullimi i vizave për Kosovën i pamundur pa procedurë në Këshillin e BE

11 months ago 11
Reklamë

Balkanweb app Get it on Google Play

Disa burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së, pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që shkaktoi huti në Kosovë të martën.

Përderisa për shumë media në Kosovë Macroni “kërcënoi” me pezullimin e vizave për Kosovën kur tha të martën në Tiranë se “ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet”, por burime brenda bllokut evropian thanë se Franca s’e ka bërë një kërkesë të tillë.

Burime nga Brukseli thanë për Radion Evropa e Lirë të martën se pezullimi është i mundshëm vetëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së “duke e përdorur rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ nga viti 2018.

“Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.

Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:
1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.

2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.

3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.

4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi.

Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article