Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me qëndrimin e mbajtur nga Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, përsa i takon mandatit të deputetit Sali Berisha.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Nikolla i dha fund dilemave përsa i takon mandatit të deputetit p[ër kreun demokrat, i cili prej 6 muajsh mungon në punimet parlamentare. Por Nikolla u shpreh se mandati i deputetit nuk i humbet, përderisa ai është nën masën e sigurisë, pra kemi të bëjmë me mungesa të arsyeshme.
Pas interpretimit që Kryeparlamentarja Nikolla i bëri rastit, Bardhi tha se “Kryetarja e Kuvedit lexoi drejt Kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha”.
Bardhi tha se strukturat ligjore të Kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye.
“Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve të sponsorizuara nga segmente të mazhorancës. Ne kërkuam që zotit Berisha, në përputhje me Kushtetutën t’i krijohet mundesia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë në seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare”, tha Bardhi.
Prej disa ditësh ishin ngritur pikëpyetje lidhur me djegien ose jo të mandatit të deputetit për Sali Berishën, i cili prej 30 dhjetorit 2023 ndodhet me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Dilemat kishin të bënin me faktin nëse mungesa në punimet e Parlamentit konsiderohej e arsyeshme ose jo.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb