Sekretari i përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka nga Gramshi u ndal te afera e kompanisë 5D duke thënë se simbolizon qeverisjen e Ramës.
Noka foli dhe për votimin e djeshëm në Kuvend, ku me 72 votat kundër të PS-së vendosi të mos dërgojë mandatin e deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se me vendimin e djeshëm, Rama dhe banda e tij treguan se nuk kanë të ndalur, nuk kanë pengesë.
Pjesë nga fjala e Nokës:
Ndragheta ishte një nga investimet kryesore të huaja që erdhi dhe bëri një marrëveshje me Erion Veliajn për plehrat. Ndonëse në Itali, ortaku i Erion Veliajt, një nga krerët e Ndraghetas është në burg, në Shqipërinë e Edi Ramës, ortaku i Ndraghetas vazhdon të jetë kryetar bashkie.
Ky është sistemi që ngriti Edi Rama dhe rilindja në Shqipëri, që kishte vetëm një mision, jo qeverisjen, por vjedhjen. Ky ishte kontrasti i madh mes dy qeverive. Dje ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë në parlament, për secilin prej nesh. Mos kujtoni miq se mandati i Olta Xhaçkës nuk ka lidhje me ju, me Gramshin. Ka lidhje me Gramshin dhe çdo qytetar të Shqipërisë. Po pse? Sepse të dashur miq, nesër Olta Xhaçka apo një Oltë tjetër mund ti verë syrin, siç edhe ju e dini që ja kanë vënë, një prone, një pylli apo kodre, pishave, mund ti vënë syrin dhe me firmën e Edi Ramës ua rrëmben dhe vjen si investitor strategjik dhe investon me paratë që ju ka vjedhur ju. Ky është modeli dhe prandaj jemi sot shumë të shqetësuar. Pse? Sepse me vendimin e djeshëm, Edi Rama dhe banda e tij që quhet rilindje, nuk ka të ndalur dhe nuk kanë pengesë. Pengesa e fundit në Shqipëri ishte Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta. Ata dje me forcën e kartonëve Gjykatën Kushtetuese e rrëzuan përdhe, Kushtetutën e kthyen në një copë lecke dhe ky është një kërcënim i madh, kërcënim i madh për shoqërinë dhe demokracinë. Prandaj ju them se dita e djeshme ishte një ditë e keqe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edi Rama dje me votim në parlament vendosi dhe shpalli; drejtësia jam unë, ligji jam unë, gjykata jam unë dhe kjo e djeshmja shpjegon edhe arsyen se pse Sali Berisha mbahet i burgosur pa fakte e prova dhe pa asnjë akuzë. Sepse ligji është Edi Rama në Shqipëri, sepse gjykata është Edi Rama në Shqipëri sepse drejtësia është Edi Rama. Edi Rama do të likujdojë opozitën dhe për ta realizuar këtë ka gjetur një rrugë, të rrëmbejë, të mbajë peng e të burgosur pa ligj, kreun e saj. Ndërkohë që është Edi Rama rrit pushtetin, fuqinë e tij, del mbi ligjin dhe kushtetutën, këtu në Gramsh siç e tha dhe Kodheli, shohim një realitet krejt tjetër nga ajo që propagandohet, një realitet të zymtë. Prandaj Gramshi është shpopulluar, është i zhytur në varfëri dhe mjerim, sepse si gjithë Shqipëria dhe Gramshi është viktimë e babëzisë së pushtetit, babëzisë qeveritare. Ky pushtet asnjë ditë nuk i ka kushtuar shërbimit të qytetarëve dhe popullit të vet. Ka patur vetëm një mision, përfitime për vete dhe një grusht njerëzish rreth tij.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb