Manja: Mëlyshi shkarkoi mbështetësit e PS nga bashkia

8 months ago 14
14:10 10/02/2024

Ministri i Drejtësisë akuzon kreun e bashkisë së Mirditës: I verbuar nga Berisha

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja akuzon kryetarin e Bashkisë së Mirëditës, Albert Mëlyshi i dalë fitues nga koalicioni Bashkë Fitojmë në zgjedhjet e 14 Majit se po largon nga puna punonjësit që mbështesin PS. Në postimin e gjatë në rrjetet sociale, Manja thotë se me shkarkimet e padrejta nga puna, Mëlyshi do rrisë borxhin e bashkisë.

“Ke përgëzimet e mia për talentin tënd politik të largimeve nga puna me “formula strukturore”, që të kujtojnë nenin e famshëm 24/1 të Berishës së parë që ti e adhuron sot poshtë ballkonit të shtëpisë së tij, tamam si një fëmijë i pafajshëm! Të garantoj se nuk do bësh dot asgjë Melysh, vetëm sa do zhytësh Bashkinë e Mirditës në borxhe dhe do të ta mbyllë përmbarimi nga gjyqet e fituara të atyre që do largosh nga puna, sepse Shqipëria e 2024 ka ligje dhe monitorohet nga BE, e jo nga foltoristët që po të marrin në qafë pa bërë ende 10 muaj punë.”

Manja thotë se Albert Mëlyshi është duke kryer hakmarrje politike.

“Ti me sjelljen tënde politike prej hakmarrësi të vogël lokal, padashje i bën shërbimin më të madh politik PS, sepse u jep qytetarëve të Mirditës mundësinë të kuptojnë dallimin e madh mes nesh si PS dhe foltores që ti përfaqëson në Mirditë. E në fakt, dallimi mes nesh është si të krahasosh ditën me natën e zezë sterrë dhe për këtë flasin faktet.”

Ministri ka ironizuar përçarjen e PD dhe protestën para banesës së Sali Berishë, teksa Mëlyshit i kujton dhe naftën që shpenzon për të ardhur në Tiranë.

“PS është parti e madhe dhe e hapur, jo si partia jote e ndarë në 4 pjesë! Nuk do të jetë e largët dita kur populli i Mirditës të të kërkojë llogari dhe të të ndëshkojë dhe për naftën që shpenzon për të ardhur poshtë ballkonit të doktorit! Diletantizmi yt si menaxher dhe verbëria politike ndaj foltores dhe një ish-lideri që ka mbjellë përçarje dhe në Mirditën që të dha nderin të jesh qytetari i parë i saj, ta nxorrën kallajin e “djalit të mirë” shpejt dhe fundin politik do të ta japin kur të shkosh prapë te vota!”

Manja thekson se pavarësisht vendimeve të kryetarit të Bashkisë së anëtarët e këshillit bashkiak socialist do të jenë bashkëpunues për çdo vendim që u shërben qytetarëve, teksa thekson se qeveria do të vijojë investimet në Mirëditë.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article