Marrëveshja për emigrantët me Italinë/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

7 months ago 9
16:46 19/02/2024

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë që i hapi rrugë ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në vendimin e plotë, Gjykata Kushtetuese evidenton se protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë

“Protokolli për Migracionin nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, mban të paprekur elementet e territorit në aspektin fizik. Shteti shqiptar do të ushtrojë të drejtën e vetë brenda territorit ku do të vendosen emigrantët. Autoritetet shqiptare do të ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Autoritetet shqiptare do të ushtrojnë juridiksionin në rend, siguri, azil dhe shërbimeve për transferimin e trupave në raste vdekjesh. Autoritetet italiane kanë juridiksionin parësor për të shqyrtuar kërkesat për azil të emigrantëve. Edhe autoritetet shqiptare mund të shqyrtojnë kërkesat për azil të emigrantëve pasi është detyrim nga KEDNJ”.

Për sa më sipër, juridiksioni ekstraterritorial i shtetit italian mbi migrantët dhe azilkërkuesit, duke përfshirë mbrojtjen dhe garantimin jo vetëm të të drejtave që lidhen me azilin, por edhe të të drejtave themelore të këtyre personave, ushtrohet për sa kohë që autoritetet italiane kanë kontroll efektiv mbi ta, qëndrim i mbajtur edhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (shih dokumentin C/GC/36, datë 03.09.2019 të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për nenin 6 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike)

Ndërsa lidhur me aspektin juridiksional të territorit, Gjykata Kushtetuese vëren se në tekstin e Protokollit për Migracionin nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim sipas të cilit shteti shqiptar heq dorë shprehimisht nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij. Protokolli për Migracionin ka parashikuar kalimin në përdorim të përkohshëm nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, në të cilat ato do të ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve shëndetësore (neni 4), rendit dhe sigurisë brenda zonave, shërbimeve ushqimore dhe çdo shërbimi tjetër të nevojshëm (neni 6), si dhe procesit të rregullt ligjor për shqyrtimin e kërkesave për azil (neni 9). Ndërsa autoritetet shqiptare ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor që nuk mund të plotësohen nga autoritetet italiane (neni 4), rendit dhe sigurisë së jashtme (neni 6), lehtësimit të procesit të ofrimit të këshillave dhe asistencës për azilkërkuesit, si dhe shërbimeve të nevojshme për transferimin e trupave në rastet e vdekjeve (neni 9). Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson të verifikojë nëse pasja e juridiksionit nga shteti italian në këto dy zona ka të bëjë me territorin e shtetit shqiptar në aspektin juridiksional të tij.

Marrëveshja për emigrantët Shqipëri-Itali pritet të votohet të enjten në Parlament.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article