Nervozizmi po shtohen në Kosovë me masat ndëshkuese të vendosura prej saj nga BE-ja, për të cilat Brukseli ende nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm t`i zbusë.
Presidentja Vjosa Osmani kërkoi tërheqjen e masave të marra, nën arsyetimin e “paaftësisë së Kosovës për të vepruar në mënyrë europiane”, duke argumentuar se institucionet vendase po e respektojnë marrëveshjen e arritur në Bratislavë për shtensionimin e situatës në veri. Ajo i quajti masat të padrejta e tha se dëmtojnë procesin e dialogut.
“Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen, e që kërkon konsultim edhe me EULEX-in edhe me misionin e NATO-s këtu. Është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në këto komuna veriore. Të gjitha këto kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Bratislavës. Tani presim që hapat t’i marrin partnerët tanë në Bashkimin Evropian, sepse, masat e tyre kanë qenë komplet disproporcionale me çfarëdo pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës”, u shpreh Osmani.
Kosova, vazhdoi Osmani, nuk ka pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj, por ka vepruar vetëm në territorin e Republikës së saj, Republikë sovrane e cila është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve të BE-së. Ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për t’i dhënë fund “ndikimit negativ ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës”.
Blloku europian la të kuptohet më herët se ende nuk është i kënaqur me lëvizjet e Prishtinës zyrtare dhe kërkoi prej saj veprime shtesë në drejtim të uljes së tensioneve në veri.
Top Channel