Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona, të cilët kishin përshtatur një ambient për call center, përmes të cilit mashtroheshin qytetarë të ndryshëm, që të investonin në tregje fiktive.
Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” vihen në pranga shtetasit, Kristian Gajtani, drejtuesi i skuadrës së operatorëve dhe Ersenilda Elezi, menaxhere e përgjithshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
“Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skuadra”, zbulohet një subjekt i përshtatur si call center, në të cilin, përmes telefonatave, mashtroheshin qytetarë të ndryshëm, që të investonin në tregje fiktive.
Vihen në pranga drejtuesi i skuadrës së operatorëve të këtij subjekti dhe menaxherja e përgjithshme.
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme të kryera në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë për hetimin e këtyre krimeve, në DPPSH, është finalizuar operacioni policor i koduar “Skuadra”.
Gjatë këtij operacioni, në rrugën “Daut Boriçi”, u ushtrua kontroll në një subjekt privat të përshtatur si call center, në të cilin nga verifikimet rezultoi se përmes telefonatave, mashtroheshin qytetarë të ndryshëm, që të investonin në tregje fiktive.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
K.G., 32 vjeç, banues në Shkodër, drejtuesi i skuadrës së operatorëve të subjektit;
E.E., 39 vjeçe, banuese në Tiranë, menaxhere e përgjithshme e subjektit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./vizionplus.tv