Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, bëri thirrje për ndalimin e agresionit rus në Ukrainë, duke e përshkruar këtë konflikt si një “katastrofë e ngjizur nga një ëndërrimtar delirant i së shkuarës imperialiste”.
Ai shprehu dëshirën për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të respektojë të drejtat ndërkombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës, ndërsa u shpreh se Shqipëria mbështet përfshirjen e Rusisë në tryezën e bisedimeve për fundin e luftës.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, Rama theksoi se Shqipëria nuk pranon vendin e Hamasit në një botë që aspiron për paqe. Ai nënvizoi nevojën për të garantuar të drejtat e popullit palestinez për një shtet të sigurt, por theksoi se nuk mund të normalizohet terrori.
Kryeministri ripërsëriti mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete, duke promovuar dialogun dhe negociatat si rrugë të vetme për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të vërtetë.
Rama përfundoi fjalimin e tij duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të fortë dhe të përbashkët për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë, duke kërkuar angazhimin e vendeve përballë këtyre sfidave globale.
“Në vitin e tretë të luftës së Ukrainës, jemi të detyruar të bëjmë thirrjen ndaj Rusisë për të ndaluar këtë agresion. Një katastrofë e ngjizur nga një ëndërrimtar delirant i së shkuarës imperialiste. Po, edhe ne duam paqe dhe duam të ketë paqe mes Ukrainës dhe Rusisë sa më shpejt. Do të mbështesim çdo përpjekje të paqes dhe format që përfshin Rusinë në tryezë, por duam një paqe të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe në rezolutat e OKB. Një paqe që nuk minon të drejtën e Ukrainës.
Shqipëria i qëndron e palëkundur qëndrimit se nuk ka vend për Hamasin në botën ku duam të jetojmë, në një të drejtë të njohur të njerëzve palestinezë që të kenë vendin e tyre të sigurt në këtë botë. Garantimi i një kushti bazë për kaq palestinezë është më i lehtë të thuhet se sa të bëhet. Duhet të rikalibrojmë busullën tonë morale në Lindjen e Mesme, por nuk ka të tillë që të normalizojë terrorin e Hamasit. Shqipëria mbështet zgjidhjen me dy shtete përmes dialogut dhe bisedimeve që sjellin një zgjidhje të vërtetë për shtete të pavarura, një shtet të pavarur të Palestinës dhe një shtet të sigurt të Izraelit”, tha Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb