Mirditë/Vijojnë kontrollet intensive të territorit dhe hetimet proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i Pastër”.
Pas një hetimi proaktiv disajavor, finalizohet operacioni policor i koduar “Seven”.
Asgjësohen 374 bimë kanabis sativa si dhe sekuestrohen dy armë gjahu.
Vihet në pranga autori i dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Identifikohet dhe vijon puna intensive për kapjen e bashkëautorit të kësaj veprimtarie kriminale
Procedohen penalisht kryeplaku i fshatit Batra, për shpërdorim detyre.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë intensifikuar kontrollet në terren dhe hetimet proaktive të bazuara edhe në inteligjencën policore.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi disajavor në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Seven”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
* E. Ç., 27 vjeç, banues në fshatin Batra, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit të tij në vendin e quajtur “Përroi Batrajve”, kishte kultivuar në 7 parcela të ndryshme në distancë nga njëra tjetra, 374 bimë kanabis sattiva.
Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në flagrancë në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike në orët e vona të mbrëmjes.
Gjithashtu pas një pune intensive hetimore, është arritur të identifikohet i dyshuar si bashkëautor në këtë aktivitet kriminal, shtetasi J. M., 33 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim ku vijon puna për kapjen e tij.
Në vijim të hetimeve proceduriale nga policia, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. Ç., është sekuestruar një armë gjahu çifte pa leje si dhe është bërë bllokimi i po një arme tjetër gjahu me leje.
Në vijim të operacionit, u procedua penalisht për shpërdorim detyre shtetasi S. Gj., me detyrë kryeplak i fshatit Batra. Ky shtetas dyshohen se nuk ka kryer detyrën e tij funksionale, në zonën që mbulon.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb