“Me zvarritje drejt objektivit, nisu!”

10 months ago 25

Mero Baze

Për të gjithë ata që kanë kryer shërbim ushtarak gjatë kohës së komunizmit, mund ta kujtojnë një komandë të oficerëve gjatë stërvitjes: “Me zvarritje drejt objektivit, nisu!”

Pak a shumë kjo është e gjithë fjalia që mund të përmbledhë betejën qesharake të avokatëve të Berishës për të shtyrë disa ditë shqiptimin e masës së arrestit të Berishës, duke shpikur truke proceduriale.

Natyrisht nuk mendoj se e bëjnë që t’i marrin më shumë lekë Berishës, se e bëjnë falas. Dhe kjo e bën dhe më banale situatën.

Nuk e bëjnë as se duan ta shpëtojnë Berishën, se nuk kanë çfarë t’i shpëtojnë, se person nën hetim është. Kur të fillojë të gjykohet duhen avokatët.

Tani siç ka thënë dhe vet, ai është i kënaqur me këtë masë sigurie, dhe mundimi i tyre për ta shtyrë deri të shtunën apo pas festave vendimin, nuk është se ka ndonjë rëndësi për të.

E gjitha duket më shumë një torturë e Berishës për ta, se sa një torturë e tyre për Berishën.

Berisha ka nevojë të mbahet sa më gjatë në këmbë kjo skena e viktimizimit të tij, që të zgjasë sa më shumë jehona e saj, që njerëzit të flasin sa më shumë për të, dhe mbi të gjitha që të shtrijë në disa ditë viktimizimin e tij.

Frika që ai ka nuk është arresti shtëpiak, pasi nuk ka çfarë i ndodh tani që dhe Flamur Noka do rrijë poshtë pallatit si roje.

Frika që ai ka është se pasi të merret masa e arrestit, njerëzit do vazhdojnë festat, do merren me gjelin e vitit të ri, me restorantet apo menynë e darkës së vitit të ri, dhe nuk do ta prishin terezinë e tyre.

Kjo është një nga ato dhimbjet e mëdha që e mundon Sali Berishën, i cili do të jetë në qendër të vëmendjes dhe me hallin e tij, ashtu siç ka qenë me pushtetin e tij.

Dhe akoma më e dhimbshme është se edhe pse po përpiqet të shtrijë në kohë procesin e marrjes së vendimit, edhe pse po përpiqet ta dramatizojë, edhe pse po përpiqet të viktimizohet, shoqëria është indiferente ndaj tij.

E vetmja gjë që u mbetet në mendje atyre është se ai po zvarritet drejt objektivit të pashmangshëm, arrestit shtëpiak.

Sot njerëzit janë më shumë të shqetësuar për çmimin e një gjeli Baldushku se sa për çmimin që po paguan Sali Berisha për 33 vjet sundim politik në Shqipëri, si minues i demokracisë, shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe i përfshirë familjarisht në korrupsion madhor, siç ja kanë vënë epitafin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Read Entire Article