TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK kanë finalizuar gjatë gjithë natës së sotme një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar.

Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi sot se ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.

Ai ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv, deri në finalizimin e operacionit.

Gjithashtu, ministri shprehu besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për të tri goditjet në harkun kohor të 48 orëve të fundit.

Policia ka goditur edhe një grup kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik të qytetarëve europianë përmes “call center” si dhe të një grupi kriminal në fushën e skemave mashtruese dhe evazionit fiskal.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.