Meta: Rritja e taksës së pronës rëndon familjet shqiptare dhe bizneset

1 year ago 25
Reklamë

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se “paaftësinë në administrimin e të ardhurave si edhe gropat e jashtëzakonshme të korrupsionit dhe evazionit, qeveria kërkon t’i mbulojë përmes shtimit dhe rritjes të taksave në mënyrë arbitrare dhe abuzive në kurriz të familjeve shqiptare dhe bizneseve të ndershme”.

Në një konferencë për mediet, Meta reagoi ndaj rritjes së taksës së pronës.

Sipas tij, “qeveria në vend që të përmirësojë performancën e mbledhjes së të ardhurave dhe të reformojë administratën tatimore dhe të luftojë korrupsionin galopant dhe evazionin, përkundrazi ndjek politikën e rritjes së vazhdueshme të nivelit të taksave, sidomos pas zgjedhjeve”.

“Si dhe në rastin e taksimit mbi të ardhurat personale, në vend që të rriten të ardhurat duke luftuar korrupsionin dhe informalitetin, qeveria rrit nivelin e taksës. Edhe në rastin e taksimit mbi pronën, në vend që të reformohet sistemi i administrimit dhe të luftohet informaliteti, qeveria shumëfishon nivelin e taksës dhe të detyrimeve mbi pronën”, u shpreh ai.

Meta tha se “kulmi arrin në Tiranë, ku pagesat vjetore të bizneseve për taksën e ndërtesës do të rriten deri 91 %”.

“Krahasuar në vlerë taksa vjetore e ndërtesës që paguajnë bizneset me çmimet fiskale të 2023 është gati 9 herë më tepër se pagesat e familjarëve për taksën e apartamenteve. Pa kaluar as 100 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, qeveria në mënyrë arbitrare dhe të pabesë ka marrë një vendim, i cili rrit nga 50 për qind deri në 75 për qind, pagesën që familjet shqiptare duhet të paguajnë si taksë për pronat e tyre, për shkak të vendimit të qeverisë që rriti çmimet e referencës së pronave duke zhvatur në këtë mënyrë dhjetra milionë euro nga buxhetet e familjeve shqiptare”, theksoi ai.

Meta theksoi se “qeveria këto ditë ka prezantuar edhe një projektligj të ri për taksën e pronës, duke propozuar krahas rritjes së taksës që do paguajnë shqiptarët mbi pronën per shkak të VKM-së, edhe një dyfishim të taksës së banesës nga 0.05 për qind në 0.1 për qind”.

“Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave për tërmetin, është gjithashtu një tjetër taksë që do të rëndojë të gjithë shqiptarët që janë pronarë të një banese. Të ardhurat që qeveria u merr familjeve nga taksimi i pronës do të rriten nga 0.3 për qind e PBB-së që janë sot në 1 për qind e PBB pra më shumë sesa trefishin. Në totalin e tyre janë disa qindra milionë euro që do të dalin nga xhepat e qytetarëve të thjeshtë dhe buxhetet e familjeve shqiptare, në vend që ata të ndihmoheshin pas vështirësive ekstreme me të cilat ata u përballën pas krizës së çmimeve dhe asaj të COVID-it më parë”, shtoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Read Entire Article