Ministri Balla nga Tropoja: Hetimi i plotë dhe zbardhja sa më shpejt të ngjarjeve të vjetra kriminale detyrë kryesore për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë

10 months ago 7

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi këtë fundjavë një vizitë në Bajram Curri, ku u takua me punonjësit në Komisariatin e Tropojës. Balla vlerësoi punën e forcave të rendit në rritjen e sigurisë në tërësi, e posaçërisht për kujdesin e shtuar ndaj numrit të lartë të turistëve. Më tej ai kërkoi hetimin e plotë dhe zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve të vjetra kriminale.

‘Asnjë ngjarje kriminale me numrin e lartë të turistëve, që erdhën për të shijuar burimet e bukura natyrore. Kemi arritur në konkluzionin se forca dhe sundimi i ligjit në Tropojë është në koeficientin më të lartë dhe merita i takon secilit prej jush, drejtuesve dhe mbi të gjitha banorëve të zonës. Vitin e ardhshëm do të kemi më shumë turistë, duhet rritur përgjegjësia. Hetimi i ngjarjeve të vjetra dhe dhënia fund e pandëshkuemërisë duhet të jenë vëmendja kryesore. Edhe krimet e së shkuarës, kryesisht ato ndaj pronës e personit, ne duhet që të vazhdojmë punën hetimore. Nuk duhet t’i gëzohemi faktit që tani s’kemi ngjarje kriminale, por kemi përgjegjësinë që të bëjmë drejtësi. Publiku na vlerëson për çdo hap që hedhim edhe në këtë drejtim’, deklaroi ai.

Ministri foli për domosdoshmërinë e forcimit të kontrolleve policore, kundër armëmbajtjes pa leje.

‘Duhet dekurajuar armëmbajtja pa leje. Do të minimizosh fenomenin e ngjarjeve kriminale, lufto armëmbajtjen pa leje! Sepse pjesa më e madhe e ngjarjeve ndodhin në gjaknxehtësi dhe posedimi i një arme pa leje është burim i një krimi të rëndë, kundër jetës së një personi. Thirrje banorëve, t’i vetëdorëzojnë armët pa leje. Na duhet të rritim komunikimin me komunitetin. Do të nisim një fushatë, vitin e ardhshëm, duke incentivuar dorëzimin e armëve pa leje’, apeloi ministri.

Ministri tha se puna duhet të intensifikohet në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndaj pronës dhe mjedisit. Këto mbeten sipas tij, ndër detyrat kryesore të Policisë dhe Prokurorisë.

‘Punën e policisë do ta bëni ju, ministri do të bëjë punën për trajtimin e duhur financiar të PSH. Jam i gëzuar që ditët në vijim bashkë me KM do të shkojmë tek policët që kanë fituar kredi falas për banesa nga qeveria. Janë mbyllur 92 të parat, vitin e ardhshëm do jenë 300 kredi dhe 500 pas 2 vitesh. Me aktin normativ kemi siguruar fondin për pagesën e ushqimit, për çdo punonjës policie, mbi 1 milion lekë (të vjetra) në vit. Me fondin që kemi përcaktuar për rritjen e pagave për 2024, synoj të shkojmë tek një rritje 30% të pagës së çdo polici, nga 1 korriku 2024, duke i dhënë prioritet nivelit bazë. Duhet të gjejmë një zgjidhje edhe për orët jashtë orarit’, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article