Ministri italian Tajani sot në Shqipëri, në fokus marrëveshja për emigrantët! A do ta takojë apo jo Berishën, i cili s’mbajti premtimin për të mos e çuar në Kushtetuese

10 months ago 25

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, vjen sot në një vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të ketë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të vizitës është çështja e marrëveshjes mes dy vendeve për emigrantët. Ministri i Jashtëm Italian pritet të vizitojë dhe Shëngjinin.

Por një tjetër pikë që vlen të evidentohet është fakti nëse do të takojë apo jo Sali Berishën? Ky i fundit tradhtoi aleatët italianë pasi çoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen me Italinë për emigrantët e firmosur mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama më 6 nëntor.

Ish kryeministri gënjeu dhe bëri të kundërtën, ndryshe nga sa i kishte premtuar zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Italian Antonio Tajani në bisedën telefonike të realizuar me të, ku burime të sigurta nga shteti fqinj për Report Tv dhe Shqiptarja.com bënë të ditur se Berisha i kishte premtuar që nuk do të protestonte dhe as ta çonte në Gjykatë Kushtetuese.

E djathta italiane kritikoi Sali Berishën për qëndrimet e shprehura për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët dhe ngritjen e një qendre për strehimin e përkohshëm të tyre në Shqipëri, derisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen. Kryemistrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane pak javë më parë dhe u dërgua në parlament për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

Read Entire Article