Forcat e Repartit të Operacioneve Speciale në Zall-Herr do të kenë shumë shpejt qendrën multifunksionale, punimet për të cilën janë realizuar aktualisht në masën 80%.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu së bashku me Atasheun ushtarak amerikan në Shqipëri, Kapiten i rangut të II, Eric Cote inspektuan punimet që po kryhen në këtë godinë, ndërtimi i të cilës ka nisur në prill të vitit 2023 dhe pritet të përfundojë sipas planit në qershor të vitit të ardhshëm.
Komandanti i ROS, nënkolonel Ajet Jata tregoi për detajet e këtij projekti. Ata vizituan edhe mjediset e palestrës dhe hambarit të skafeve, të cilat tashmë janë funksionale.
Gjatë inspektimit, Vengu u shpreh se “Forcat Speciale janë kapacitet kombëtar dhe pesha e përgjegjësisë është më e madhe për t’u përballur me operacione mjaft specifike”.
“Ju keni pasur një historik shumë të mirë nga pikëpamja e certifikimit të personelit sipas standardeve të NATO-s, madje edhe përtej pritshmërive kalendarike. Ne duhet që këtë përkushtim të personelit tuaj ta mbështesim jo vetëm nga pikëpamja e trajtimit në pagë dhe në vështirësi pune, jo vetëm në infrastrukturë, pasi investimet do të vazhdojnë këtu, por edhe sa i përket mjeteve të logjistikës që përdorin”, u shpreh Vengu.
Reparti Operacioneve Speciale në Zall-Herr, prej disa vitesh i është nënshtruar rikonstruksionit me faza. Godina shumëfunksionale do të ketë një kapacitet për rreth 400 forca speciale.
Po ashtu, ajo do të ketë edhe një poligon modern për kryerjen e qitjeve me armët e lehta. Në këtë objekt janë parashikuar edhe ambiente, ku efektivët mund të kalojnë kohën e lirë. Kjo godinë do të ketë gjithashtu edhe një sallë të veçantë për komunikimin me NATO-n.
Reparti i Operacioneve Speciale vazhdon stërvitjet intensive në kuadër të stërvitjes për vlerësimin kombëtar të “SOLTG” që do të zhvillohet në fillim të muajit tetor 2024.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb