TIRANË, 11 gusht/ ATSH/ Pas fitores 2-1 në transfertën letoneze, në kuadër të turit të tretë të Conference League, “Partizani” nis përgatitjet për sfidën miqësore të së shtunës ndaj “Romës” së Jose Murinhos.

Ndeshja miqësore me “Romën” do të luhet në “Air Albania” dhe pritet të nisë në orën 20:00.

Trajneri i “Partizanit” Zoran Zekiç, në një deklaratë për mediet, i pyetur për miqësoren ndaj verdhekuqve, tha se “për ndeshjen me ‘Romën’ mund të them se do të ketë hapësira për lojtarët që s’kanë pasur minuta në ndeshjen ndaj ‘Valmieras’”, tha Zekiç.

Duke komentuar fitoren ndaj “Valmieras”, Zekiç shtoi se nuk ishte e lehtë, pasi futbollistët vinin nga një udhëtim i gjatë. Kam respekt për ekipin e Valmierës. Ishim dobët me kontaktin, nuk luajtëm mirë në rastet kur nuk e kishim topin. Por falë Zotit, “Valmiera” nuk e shënoi një gol të dytë, pasi do kishte qenë problem i madh. Jam i lumtur për fitoren, por nuk e gënjej veten. Kemi mangësi që duhet t’i përmirësojmë në vazhdim”, tha Zekiç.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.