TIRANË, 12 gusht/ ATSH/  Skuadra e “Romës” ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të miqësores me “Partizanin”. Ndeshja do të luhet sot në ora 20:00 në “Air Albania Stadium”.

“Roma e Murinjos zbret në Tiranë për mbrëmjen e sotme në ‘Air Albania Stadium”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale teksa ka publikuar dhe video nga mbërritja e skuadrës.

Verdhekuqtë vijnë në vendin tonë për herë të dytë. Herën e parë ishin në majin e vitit 2022 kur triumfuan përballë “Feynord” në finalen Conference League. Vizita e dytë e skuadrës së Jose Murinjos në vendin tonë është në kuadër të miqësores së luksit, që do të jetë një provëz zyrtare për të verdhekuqtë përpara nisjes së sezonit të ri.

“Skuadra e Romës rikthehet në Shqipëri. Në orën 12:15 nën kampionet e Europa League kanë prekur aeroportin “Nënë Tereza”, ku janë mirëpritur nga përfaqësues të Klubit Partizani. Skuadra e Joze Mourinjos do të akomodohet në hotel “Mak Albania” ku do të qëndrojë deri në momentin që do ti drejtohet stadiumit “Air Albania”. Miqësorja Partizani – Roma do të luhet sot në orën 20:00”, bënë të ditur klubi i “Partizanit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.