Partia Demokratike pritet të paraqesë qëndrimin e saj në raport me Parlamentin, pas arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji, gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane.
Komisioni pritet të mblidhet në orën 09:00, ndërsa deputetët Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, sipas gazetarit të News24, Osman Stafa, do të paraqesin qëndrimin e PD-së.
Ndërkohë në mbledhjet e tjera të Komisioneve Parlamentare, deputetët e PD-së nuk do të jenë prezent, çka duket se është hapi i parë i veprimeve të tyre, pas burgosjes së Salianjit.
Pak ditë më parë drejtues të PD-së artikuluan ndërprerjen e marrëdhëniese institucionale me mazhorancën e Edi Ramës, por pa specifikuar se deri në ç’masë mund të shkojë ky qëndrim.
Gjatë mesditës deputetët e PD do të zhvillojnë një tjetër mbledhje ku pritet të përcaktojnë strategjinë që do të aplikojnë në raport me Kuvendin, duke nisur nga seanca e sotme, e cila mbahet në orën 17:00 dhe ku pritet të njoftohet zyrtarisht ndërprerja e mandatit të deputetit për Ervin Salianjin.
Në tryezën e opsioneve të deputetëve të opozitës janë disa variante që mund të aplikohen, duke nisur që nga ngujimi afatgjatë i ligjvënësve demokratë te protestat brenda sallës së Kuvendit me synim paralizimin e funksionimit normal. Gjithsesi do të jetë Grupi Parlamentar ai që do të vendosë dhe pasditja e sotme do të tregojë se çfarë realisht deputetët e opozitës mund të bëjnë.
Një ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi edhe qëndrimin e saj, ku thuhet se rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjesuar.
“Maxhoranca në Parlament refuzon me votë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë.
Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie antikushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitarë, duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.
Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pas një fushate publike deniguese nga kryeministri dhe pas një fitorje të pritshme të tij si kryebashkiak. Ndaj tij nuk u paraqit asnjë provë dhe nuk u lejua të betohej pas fitores së zgjedhjeve, sepse kryeministri e sheh Jugun e Shqipërisë si një pronë private për t’u pasururar përmes korrupsionit.
Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm. Burgosja e një deputeti pa ligj dhe prova është mesazh politik për heshtjen e opozitës, asgjesimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes.
Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike:
Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës”, thuhet në deklaratën e miratuar nga Këshilli Kombëtar.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb