Ndahen rrugët me Bashën, anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re! Drejt fundit Statuti

3 weeks ago 8
Reklamë

Sezoni i ri politik do t’i japë jetë një lëvizje të re politike, produkt i lindur si rezultat i betejës gati 3 vjeçare dhe skizmës brenda forcës më të madhe në opozitë, Partisë Demokratike. Pasi Gjykata e Apelit vendosi në qershor t’i japë vulën e Partisë Demokratike, grupit të Sali Berishës, Lulzim Basha çoi vendimin në Gjykatën e Lartë dhe para se të ndërmarrë një iniciativë të re politike, vendosi të marrë më shumë kohë me rekursin.

Por jo i gjithë grupi i tij e ndoqi në këtë rrugë. Anti-Berishistët më të zëshëm, më në krye Enkelejd Alibeajn kanë vendosur të çojnë para idenë e krijimit të partisë së re.

Report Tv ka mësuar se gjatë verës, teksa thuajse e gjithë politika pushonte, janë drejt përfundimit të mbledhjes së firmave të nevojshme, 3000 të tilla që duhen për krijimin e një partie të re, ndërsa ekspertët ligjorë po punojnë për detajet e fundit të Kushtetutës së një partie politike, statutit.

Në dokument, të cilin Report Tv e ka lexuar, detajohen parimet mbi të cilin “anti-berishistët” të shkëputur me kohë prej Sali Berishës e së fundmi edhe nga Lulzim Basha, hodhën hapat për krijimin e partisë së re.

Partia, sipas statutit, parashikohet të funksionojë mbi një ndarje pushtetesh brenda organizmit politik. Njëjtë si shteti, edhe ndërtimi i partisë është bazuar mbi “ndarjen e pushtetit politik, atij administrativ dhe atij gjyqësor, të cilët ndihmojnë dhe kontrollojnë njëri-tjetrin, duke balancuar të gjithë funksionimin e brendshëm të saj.”

Risi është edhe krijimi i një entiteti garantues për ruajtjen e vijës politike dhe ideologjike të partisë. Ky entitet do të ketë kompetencat e thirrjes dhe ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë sa herë që do të vihen re deformime të parimeve mbi të cilat është krijuar dhe ndërtuar partia.

Edhe kryetari, njëjtë si në PD do të zgjidhet përmes votës së anëtarësisë.

“Në hartimin e statutit kemi pasur qëllimin të parashikojmë demokracinë e drejtpërdrejtë (atë që rrjedh drejt e nga anëtari i më i thjeshtë i partisë) si elementi kryesor mbi të cilin bazohet ndërtimi dhe funksionimi i partisë” i tha një burim Report Tv, i cili teksa citon statutin evidentoi faktin se grupimi synon të përcjellë idenë e një partie, jo të kryetarit.

“Demokracia e drejtpërdrejtë e ushtruar në mënyrë të shpeshtë, e shoqëruar edhe me ndarjen e pushteteve brenda organizimit politik sjell në jetë një subjekt me demokraci të brendshme funksionale dhe largimin nga kulti i individit”, sqarohet në Statut.

Report Tv ka mësuar se shpejt, do të vendoset edhe emri dhe pritet që kjo alternativë e re të prezantohet publikisht. Do të mbetet për t’u parë nëse do të jenë zërat kundër Berishës ata që do t’i bashkohen si anëtarë kësaj partie të re dhe nëse do t’i besohet Enkelejd Alibeajt, si një prej kritikëve më të mëdhenj të Berishës drejtimi i forcës më të re politike brenda së djathtës./REPORT TV

Read Entire Article