Ndërkombëtarët mirëpresin marrëveshjen Izrael-Hamas për lirimin e pengjeve

10 months ago 17

Qeveria e Izraelit dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për një pauzë katërditore të luftime për të lejuar lirimin e 50 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të 300 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.

Izraeli dha detaje në lidhje me të burgosurit palestinezë që priten të lirohen sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar për të liruar pengjet e mbajtura nga militantët e Hamasit në Gaza.

Duhet të ketë një periudhë pritjeje 24-orëshe përpara se marrëveshja e pengjeve të zbatohet, për t’u dhënë qytetarëve izraelitë mundësinë që t’i kërkojnë gjykatës supreme lirimin e të burgosurve palestinezë, sipas raportimeve në mediat izraelite.

Lista e postuar në ministrinë e drejtësisë duket se përfshin 300 të burgosur, që është dyfishi i 150 grave dhe fëmijëve të burgosur që Izraeli ka rënë dakord të lirojë në pauzën fillestare katër-ditore.

Ka pasur reagime të shumta për marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit, me ndërkombëtarët që e kanë cilësuar një arritje të madhe.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka mirëpritur marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit që siguron një armëpushim 4 ditor si dhe lirimin e pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë.

Ai tha se marrëveshja duhet të sjellë në shtëpi pengje të tjera amerikane dhe se nuk do të ndalet derisa të lirohen të gjithë.

“Unë e mirëpres marrëveshjen për të siguruar lirimin e pengjeve të marra nga grupi terrorist Hamas gjatë sulmit të tij brutal kundër Izraelit më 7 tetor”, tha Biden.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur gjithashtu marrëveshjen mes Hamasit dhe Izraelit.

“Unë e mirëpres me gjithë zemër marrëveshjen e arritur për lirimin e 50 pengjeve. Çdo ditë që këto nëna dhe fëmijë mbahen peng nga terroristët është shumë. Ndaj gëzimin e familjeve që së shpejti mund të përqafojnë sërish të dashurit e tyre.

Dhe unë jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur përmes kanaleve diplomatike javët e fundit për të ndërmjetësuar këtë marrëveshje. I bëj thirrje Hamasit terrorist që të lirojë menjëherë të gjithë pengjet dhe t’i lejojë ata të kthehen të sigurt në shtëpi.

Komisioni Europian do të bëjë të pamundurën për ta përdorur këtë pauzë për një rritje humanitare në Gaza.

I kam kërkuar komisionerit Janez Lenarčič që të përmirësojë dërgesat e mëtejshme në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur për të lehtësuar krizën humanitare në Gaza” tha ajo.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se marrëveshja për lirimin e pengjeve ishte “rezultat i diplomacisë së palodhur dhe përpjekjeve të shumta në të gjithë Departamentin dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara”.

“Ndërsa kjo marrëveshje shënon përparim të rëndësishëm, ne nuk do të pushojmë për sa kohë që Hamasi vazhdon të mbajë pengje në Gaza”, tha Blinken.

Majed Al-Ansari, zëdhënës zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Katarit, ka lëshuar një deklaratë mbi marrëveshjen e pengjeve, duke thënë:

“Si Izraeli ashtu edhe Hamasi kanë rënë dakord për këtë marrëveshje pas javësh negociatash intensive. Katari ka udhëhequr përpjekjet e ndërmjetësimit në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë, për të cilët shprehim mirënjohjen tonë.

Fokusi ynë tani është që të dyja palët t’i përmbahen kushteve të marrëveshjes. Detajet përfshijnë vëzhgimin e një pauze humanitare katër-ditore për të lehtësuar lirimin e një numri pengjesh civilë në këmbim të të burgosurve të mbajtur në burgjet izraelite.

Marrëveshja mund të zgjatet nëse bihet dakord për lirimin e pengjeve të tjera.

Shpresojmë që kjo marrëveshje të jetë hapi i parë drejt de-përshkallëzimit dhe sigurimit të një armëpushimi afatgjatë, i ndjekur nga një proces politik gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund këtij konflikti dekadash.

Për lirimin e pengjeve ka reaguar edhe ministria e Jashtme franceze duke thënë se do të ketë francezë në grupin e parë të pengjeve që do të lirohen.

Rusia gjithashtu ka mirëpritur marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit për një pauzë humanitare katër-ditore, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova për mediat ruse.

“Kjo është ajo që Rusia ka bërë thirrje që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit”, tha Zakharova.

Ministrja e Jashtme australiane Penny Wong përshëndeti të mërkurën marrëveshjen e përparimit midis Izraelit dhe Hamasit, duke e quajtur atë një shenjë “progresi”.

“Australia vazhdimisht ka bërë thirrje për lirimin e pengjeve, për akses humanitar dhe për mbrojtjen e civilëve.

Ne kemi thënë gjithashtu se duam të shohim hapat e ardhshëm drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, por se ai nuk mund të jetë i njëanshëm. Ajo që ne shohim sot është përparim drejt secilit prej këtyre qëllimeve,” “u tha Wong gazetarëve në Adelaide.

David Cameron, e ka përshkruar marrëveshjen Izrael-Hamas si “një hap vendimtar” dhe duke u kërkuar palëve që të arrijnë marrëveshjen në tërësi, ai shtoi: Kjo pauzë ofron një mundësi të rëndësishme për të siguruar që vëllime shumë më të mëdha të ushqimit, karburantit dhe ndihmave të tjera të mbërrijnë në Gaza.

Ne kemi dyfishuar tashmë angazhimin tonë për ndihmën ndaj palestinezëve këtë vit dhe do të punojmë ngushtë me OKB-në për të siguruar që ndihma të shpërndahet tek personat që kanë nevojë.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë drejt një “zgjidhjeje politike afatgjatë që u mundëson izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe”, duke shtuar, “natyrisht, ne duam të shohim të gjithë pengjet të lirohen menjëherë dhe familjet e prekura nga tmerret e sulmi terrorist të 7 tetorit të ribashkohen.”

Read Entire Article