Ndryshon skema e Superligës

1 year ago 40
Reklamë
15:59 08/07/2023

Katër skuadrat më të mira do të luajnë për titullin kampion

Sezoni i ardhshëm i Superligës pritet të ndryshojë. Kampionati që do të nisë rreth datës 20 Gusht, do të përfundojë me një skemë finale me 4 skuadra që do të garojnë për titullin kampion.

Diskutimi i presidentëve të klubeve me Federatën e Futbollit për variantet e propozuara nga UEFA pritet të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e radhës.

Klubet kanë propozuar që skuadrat që përfundojnë sezonin në 4 vendet e para të luajnë një mini kampionat me grumbullim pikësh me nga dy ndeshje të cilat do të zhvillohen të gjitha në Air Albania. Në total 6 ndeshje i shtohen sezonit, të cilat pritet të përcaktojnë titullin kampion dhe skuadrat që do të shkojnë në Europë.

Nëse në përfundim të këtyre 6 ndeshjeve do të ketë skuadra me pikë të barabarta atëherë ekipi kampion do të shpallet ai që ka patur renditjen më të mirë në përfundim të 36 javëve të sezonit të rregullt të kampionatit. Sistemi i ri që pritet të aplikohet që këtë sezon nuk parashikon shtim skuadrash në Superligë të cilat do të mbeten po 10.

Por përse bëhet ky ndryshim? E gjitha është çështje financiare. Varianti i propozuar pritet të sjellë të ardhura më të mëdha. Duke besuar se do të jenë ndeshjet më të forta të sezonit pritet të vijnë të ardhura nga e drejta e transmetimit, biletat në stadium dhe marketingu.

Ndarja e të ardhurave do të bëhet me përqindje. 60 do të shkojnë për skuadrat që do të luajnë në ‘final 4’, ndërsa 40% për 6 ekipet e tjera të Superligës.

Duke qenë se do të shtohen 6 ndeshje kampionatit të futbollit, atëherë për efekt përfitimi kohe, pritet të thjeshtohet edhe Kupa e Shqipërisë në mënyrë që aktivitetet futbollistike të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara nga Uefa.

Tv Klan

Të ngjashme

Read Entire Article