Gjykata e Sarandës ka hequr masën “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për oficerin e policisë Ronaldo Korbi, i cili u pezullua nga detyra në 9 maj të këtij viti me kërkesë të Prokurores Besiana Sadikaj, vendim i lënë më pas në fuqi nga Gjyqtari Fatmir Ndreu, raporton për Balkanweb gazetarja Shpresa Dine.
Disa ditë më parë, Korbi ka kërkuar shuarjen e masës së sigurimit, pasi kishin kaluar afatet 3 mujore dhe Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë të re për zgjatje afatesh.
Çështja është shqyrtuar nga Gjyqtari Entiljano Spahiu, i cili ka pranuar kërkesën e Korbit duke shuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Ronaldo Korbi, oficer i policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, në Drejtorinë e Trafiqeve u akuzua nga Prokuroria e Sarandës për “shpërdorim detyre” pas shoqërimit të shtetasit Xh. M., i dyshuar për “trafikim i mjeteve motorrike”.
Sipas Prokurorisë, “episodet e kundërligjshme të pasqyruara nga prokurori lidhur me veprimtarinë e ushtruar nga OPGJ janë si vijon: së pari, ndonëse i është kërkuar informacion i vazhdueshëm nga Prokurori lidhur me faktin e ndodhur dhe veprimet procedurale të kryera, ai nuk e ka mundësuar asnjëherë këtë informacion të ngutshëm; së dyti, ka pasqyruar të dhëna të pavërteta në referimin e materialit hetimor, teksa ka shënuar se “U komunikua me prokuroren Besiana Sadikaj”, një fakt i mohuar nga prokurori; së treti, pavarësisht se ka pasur informacion në rrugë operative për mjetin, i dyshuar të trafikuar, vepër penale e cila, sipas nenit 141/a/1 të Kodit Penal (Trafikimi i mjeteve motorike), dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet, nuk ka proceduar konform nenit 251/1 të Kodit të Procedurës Penale duke kryer detyrimisht arrestimin e personit të kapur në flagrancë; së katërti, OPGJ ka mbajtur të shoqëruar shtetasin Xh. M. tej afatit ligjor që përcakton si kohë maksimale deri në 10 orë, përkatësisht 16 orë, si dhe nuk ka parashtruar arsyet e shoqërimit dhe mbajtjes në Komisariat tej orarit të lejuar me ligj, faktin nëse ka patur informacione të sakta të vlefshme, arsyen se përse nuk ka proceduar me arrestimin e tij”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb