Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-se në Shqipëri, Monica Merino, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të 12 marrëveshjeve për dhënien e granteve për 12 bashki në kuadër të Programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Askush të mos mbetet pas”, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ceremonia u mbaj në Qendrën e Zhvillimit në Lushnjë ku merrnin pjesë drejtuesit e bashkive përfituese të granteve, Berat, Devoll, Fushë-Arrëz, Lushnjë, Përmet, Pukë, Roskovec, Sarandë, Maliq, Shkodër, Tepelenë dhe Vlorë.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi se “Qendra e Zhvillimit në Lushnjë vjen si përmbushje e vizionit që ka qeveria shqiptare dhe MSHMS për të shpërndarë shërbimet sociale kudo në komunitete dhe më pranë nevojave të qytetarëve”. Ajo theksoi se bashkëpunimi me UNDP, Qeverinë Zvicerane, ka rezultuar mjaft i frytshëm për shërbimet sociale në të gjithë territorin. “Koalicioni që kemi bashkërisht me UNDP, Ambasadën e Zvicrës nëpërmjet programit, “Mos të lëmë askënd pas”, ka qenë një koalicion fitimtar kur vjen puna te shërbimet sociale në të gjithë territorin sepse falë këtij bashkëpunimi, ne kemi arritur sot një mbulim në të gjithë territorin e Shqipërisë me shërbime sociale për grupet vulnerabël dhe po vijojmë edhe falë instrumentit të Fondit Social, ta shtrijmë këtë mbështetje edhe për bashkitë më të vogla”, nënvizoi ministrja e Shëndetësisë.
Koçiu theksoi se “falë programit “Të mos lëmë askënd pas”, kemi sot 12 projekte të shkëlqyera që do të zbatohen për vitin 2024-2025. Do të vijojmë të jemi edhe në qendra të tjera për të parë nga afër përmirësimet e prekshme që kanë ndodhur në komunitetet tona. Kemi arritur të kemi sot një mbulim në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe do të vijojmë edhe falë instrumentit të Fondit Social, po vijojmë ta shtrijmë këtë mbështetje edhe për ato bashki ku ka nevojë për shërbime sociale për njerëzit në nevojë”.
MSHMS synon që të vijojë mbështetjen ndaj bashkive për të ofruar shërbime sociale cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke kontribuar në zhvillimin e politikave të mbrojtjes sociale në nivel lokal. Programi “Askush të Mos Mbetet Pas“, faza e dytë (LNB2) mbështetet mbi përvojën e gjerë të OKB-së në adresimin e përfshirjes sociale dhe nevojave të grupeve të rrezikuara në përputhje me Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG-të) dhe aspiratat e vendit drejt integrimit evropian.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb