Sipas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Izraeli po paguan “çmim të rëndë” për luftën në Gazë, pasi numri i të vdekurve po rritet gjatë gjithë kohës.
Izraeli gjithnjë e më shumë po e thekson qëllimin e fushatës së tij ushtarake për eliminimin e Hamasit, dhe kthimin e sigurt të pengjeve. Por, lufta pritet të zgjasë më shumë se sa është menduar.
“Le të jetë e qartë, kjo do të jetë një luftë e gjatë”, tha Netanyahu.
Gjithashtu, kryeministri ka shprehur ngushëllime për familjet e ushtarëve të rënë izraelit, shkruan euronews, transmeton Telegrafi.
Izraeli ka vazhduar me fushatën e tij ushtarake për shkatërrimin e Hamasit, ndërsa fokusi i luftimeve vdekjeprurëse është zhvendosur në Gazën jugore, ku shumica e palestinezëve janë të bllokuar.
Thuhet se, në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Joe Biden ka theksuar “nevojën kritike” për të mbrojtur civilët.
Ndërsa luftimet e ashpra shtohen, ushtria izraelite ka deklaruar se kanë goditur 200 objektiva tjera në territorin palestinez.
Që nga fillimi i luftës, në Gazë janë vrarë më shumë se 20 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe janë plagosur 54 mijë. /Telegrafi/