Belind Këlliçi ka reagaur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhu dje në dyert e SPAK, ku shtetasi Pal Trashaj piu fotoksinë.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se i ndjeri kërkonte drejtësi, e cila i’u mohua deri ditën e tij të fundit.
Deklarata:
Ditën e djeshme në dyert e SPAK u shënua një ngjarje e paprecedentë dhe shumë e rëndë. Z. Pal Trashaj, historian dhe aktivist i çështjeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, i dha fund jetës, pasi prej disa vitesh kërkonte drejtësi, e cila i’u mohua deri ditën e tij të fundit.
Ky nuk është rasti i parë ku qytetarët shqiptarë kryejnë akte ekstreme në dyert e Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar dëshpërimisht drejtësi.
Spakistët, ose siç shpesh kërkojnë të na i shesin si ‘heronjtë’ e fëmijëve tanë, nuk e vunë ujin në zjarr për një skandal madhor që ka kapluar të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm të ndjerin Pal Trashaj; skandalin e mikrokredive.
SPAK nuk ka kohë të ndjekë hallet e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, pasi është tejet i ngarkuar për të mbuluar vjedhjet flagrante ditën për diell dhe për të amnistuar pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, kreun e grupit të strukturuar kriminal 5D, hajdutin Erion Veliaj.
I rikujtojmë dhe njëherë SPAK se Erion Veliaj prej më shumë se 10 muajsh, po kallëzohet nga unë dhe Partia Demokratike, me prova e fakte të pakontestueshme për:
1. Miratimin dhe përfitimin e jashtëligjshëm me kontratën koncensionare për inceneratorin e Tiranës, ku deri më sot kemi depozituar zyrtarisht në SPAK plot 1800 faqe materiale dhe dokumenta autentike në të cilat faktohet roli i Erion Veliajt, që nga miratimi i konçensionit dhe firmosja e kontratës pa aprovimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, e deri tëk urdhërat se cila kullë duhet të paguajë për depozitimin e dherave dhe cila kullë jo. Për të gjitha këto fakte, SPAK ende fle.
2. Skandali korruptiv i padëgjuar kurrë më parë me kompaninë 5D Konstruksion, ku vidheshin 100% fondet publike nga shtabi elektoral i Erion Veliajt në 14 Maj të 2023. Nga hetimet paraprake rezulton se punonjëset e kësaj kompanie, e konsideronin ‘lali Erin’ pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës. SPAK në këtë dosje, ka kapërcyer çdo imagjinatë të mundshme amnistie dhe ende sot, Nestor Muhametllari administratori i kësaj kompanie, është i lirë dhe asetet e kësaj kompanie nuk u bllokuan kurrë, duke vazhduar tjetërsimin në palë të treta.
3. Vrasja e Ardit Gjoklajt, të cilën nuk e harruam kurrë dhe vetëm para dy muajsh kemi depozituar në SPAK prova të reja, dokumentacion të plotë, se si Erion Veliaj, biznesin e riciklimit e filloi si ministër, sëbashku me të afërmit e drejtorëve të tij dhe e përfundoi si kryetar bashkie, me kompaninë e akuzuar si lavatriçe e pastrimit të parave për organizatën kriminale Ndranghetta. ECO Tirana sot që flasim, ka monopolin e pastrimit në bashkinë Tiranë dhe përfiton 17 milionë euro në vit, me firmën e Erion Veliajt. Ndërkohë që Tirana sot ka ajrin më të ndotur dhe kancerogjen në Europë e ndërkohë uji toksik, rrjedh çdo ditë në rubinetat e kryeqytetasve.
Për të gjitha këto skandale, vjedhje dhe krime kundër qytetarëve të Tiranës, SPAK vijon të heshtë! Sot Altin Dumani gjendet para një sfide publike.
Kur u pyet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit, ai u justifikua se nuk kishte çfarë të bënte, pasi këto ishin dosje dhe çështje të mbyllura, pasi ishin iniciuar gjatë kohës që ai nuk kishte qenë drejtues i SPAK.
Sot, Altin Dumani ka detyrimin ligjor, siç veproi me dosjen e Sterilizimit, ti kërkojë prokurorëve Prençi dhe Braho, që dosja e inceneratorit Tiranë dhe mega afera 5D, të trajtohen si Grup i Strukturuar Kriminal.
Erion Veliaj, përpara se të prishë provat në zyrën e tij në bashki, duhet që menjëherë të shkojë përpara drejtësisë, pasi ai është urdhëruesi dhe përfituesi kryesor i të gjithë korrupsionit galopant që ka ndodhur dhe po ndodh në Bashkinë Tiranë. Nëse Altin Dumani vijon amnistinë për Erion Veliajn, ta ketë të qartë se hajdutin e Tiranës, nuk do ta amnistojnë kurrë opozita shqiptare, Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës.
Grupi i Ekspertëve pranë PD po përgatit ndërkohë një kallëzim të ri penal, për korrupsionin dhe vjedhjet e Erion Veliajt në bashkinë Tiranë.
Për këtë arsye, ftoj sërish kryeqytetasit në protestën e 15, demokratë e socialistë, me apo pa parti, të protestojmë sëbashku përpara Bashkisë Tiranë, ditën e premte, datë 5 korrik, ora 11:00.
Largimi i menjëhershëm nga zyra i hajdutit Erion Veliaj, është emergjencë kombëtare dhe shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë Tiranës tone.
O sot, o kurrë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb