Protestat që janë bërë ditët e fundit kundër kryebashkiakut Erion Veliaj para Bashkisë së Tiranës, kanë bërë jehonë dhe në mediat gjermane. Bild shkruan se përfshirja drejtpërdrejtë e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit ka nxitur protesta masive në Tiranë. Theksi i shkrimit të gazetës BILD është tek korrupsioni dhe paratë e pista që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë më shtrenjtë se në Hamburg.
Gazeta prestigjioze gjermane, Bild i ka bërë jehonë aferës së korrupsionit në Bashkinë e Tiranës. “Një skandal i madh korrupsioni po trondit metropolin e Ballkanit Perëndimor. Drejtorët e bashkisë janë arrestuar dhe kryebashkiaku socialist kërcënohet nga hetimi. Politikanët kryesorë të qytetit thuhet se kanë themeluar kompani përmes ‘pupacëve’ të tyre, të cilave më pas u kanë dhënë kontrata publike! Dëmi i njohur deri tani: 25 milionë euro para publike në vendin e dytë më të varfër të Evropës! Sipas dyshimeve, i përfshirë është dhe Kryetari I Bashkisë.”.
Protestat e mijërave qytetarëve përpara bashkisë së Tiranë kundër korrupsionit dhe parave të pista janë publikuar dhe në median gjermane, ku theksi vendoset tek paratë e pista dhe çmimet e apartamenteve më të shtrenjta se në Hamburg.
“Mijëra persona marshuan para bashkisë të enjten, duke demonstruar kundër kryebashkiakut socialist Erion Veliaj (44), i cili konsiderohet pasardhësi i preferuar i kryeministrit Edi Rama (59). U hodhën mjete ndezëse dhe policia u desh të rrethonte godinën administrative. Fakti që zyrtarët e lartë tani po mbushin hapur xhepat e tyre para syve të kryebashkiakut të qytetit të Tiranës në lulëzim – kjo është një pikë e tepërt për demonstruesit në Tiranë, ku mijëra apartamente të reja qëndrojnë bosh. Fakt: Pastrimi i parave i ka rritur çmimet. Toka për ndërtim në qytetin e Tiranës tani është po aq e shtrenjtë sa në zonat kryesore të Hamburgut.”
Në artikullin gjerman përmendet dhe megaafera e djegësve ku janë marrë paratë dhe asnjë incinerator nuk është ndërtuar ende.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb