Deputeti i PD-së Dashnor Sula i është drejtuar mazhorancës ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit duke u thënë se mandatin e tretë “janë lëshuar më shumë për të grabitur”, pasi i ka pyetur ironikisht nëse u kanë dalë 2 mandate për t’u pasuruar.
Ai shtoi se opozita nuk është e vendosur në rresht dhe nuk “lëpihet për një vend”, ndërsa shtoi se në këtë mënyrë është më mirë se “mazhoranca me një bari dhe të tjerët dele”.
Sakaq, ai u shpreh edhe kundër rritjes së pagave për gjyqtarët, duke thënë se me rrogën që propozohet një gjyqtar do paguhet “sa 80 pensionistë” në muaj.
“PPP-të janë problem i madh. Ne po e themi problemin e korrupsionit dhe i referohemi DASH, të cilët thonë se tregtimi i kokainës, korrupsioni dhe problemet e administratës janë. Tani unë pyes, nuk ju dolën 2 mandate për t’u pasuruar? Mandatin e tretë jeni lëshuar më shumë për të grabitur. Nuk jeni të gjithë, por një pjesë janë.
Opozita nuk është në rresht, nuk jemi servilë dhe nuk lëpihemi për një vend. Por më mirë kështu se një mazhorancë që ka vetëm një bari dhe të tjerët janë dele. Që nga 21 prilli i 2008 ku mori fund demokracia në këtë sallë, gjithçka është shkatërruar dhe ka vetëm një listë personash të emëruar. Nuk duhet të jemi të kënaqur me atë rrogën e deputetit, duhet të punojmë më shumë.
Unë besoj se politika ka moral, moral nuk ka për ata që janë hajdutë. Për ata që janë të ndershëm ka moral. Duhet të reflektojmë të gjithë. Çfarë është kjo lëvizja për pagat e gjyqtarëve? Një gjyqtar do marrë 8 mln, paga e tij do jetë sa për 80 pensionistë. Po i rrisni se gjykata kushtetuese është bindur. Unë mendoj se kjo është e përkohshme, sepse gjithçka ka një fund.
Elementët e rilindjes do e kenë fundin, dhe do e kenë tragjik”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb