Opinion – Shqipëria dhe Egjipti me një kabull interneti nënujor!

7 months ago 22
Reklamë

Autori: Blendi Fevziu

21:43 08/02/2024

Intervistë me: Peter Fekete

Blendi Fevziu: Mirëmbrëma, faleminderit që jeni sonte këtu.

Peter Fekete: Faleminderit për ftesën! Kënaqësia është imja.

Blendi Fevziu: Është përshtypja ime apo vini në Shqipëri sa herë që është mot i mirë?

Peter Fekete: Nuk gaboheni, por fatmirësisht keni gjithmonë një mot të shkëlqyer.

Blendi Fevziu: Ndoshta kështu e mendoni ju, sepse kemi edhe ditë me shi. Si ka shkuar vizita juaj e fundit në Shqipëri?

Peter Fekete: Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu. Ishte një ditë e rëndësishme për ne. Siç e dini sapo nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi me qeverinë shqiptare.

Blendi Fevziu: Ishte një surprizë e madhe edhe për mua.

Peter Fekete: E vërtetë. Është një projekt relativisht i ri. Na u deshën vetëm disa muaj për të arritur deri këtu.

Blendi Fevziu: A mund të na e shpjegoni pak më shumë? Nënshkruat një marrëveshje me qeverinë shqiptare për një sistem kabllor nënujor. Nga Egjipti në Shqipëri. Çfarë do të thotë kjo?

Peter Fekete: Aktualisht, trafiku i të dhënave të internetit midis Lindjes dhe Perëndimit kalon përmes Egjiptit.

Blendi Fevziu: I gjithë trafiku mes Lindjes dhe Perëndimit?

Peter Fekete: Po. Të gjithë operatorët aziatikë, afrikanë dhe ata të Lindjes së Mesme.

Blendi Fevziu: Shumë mund të pyesin se çfarë merrni nga Egjipti.

Peter Fekete: Praktikisht asgjë. Janë partnerë të rëndësishëm për ne. Pjesa dërrmuese e trafikut që lidh Evropën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme kalon përmes Kanalit të Suezit dhe kabllot kalojnë përmes Detit Mesdhe në drejtim të Marsejës dhe në Sicili. Ky trafik ka premisa për t’u zgjeruar më tej, sepse njerëzit e përdorin gjithnjë e më shumë të dhëna. Këto porta janë shumë të ngarkuara, prandaj ka lindur nevoja për drejtime të reja. Shqipëria është një pikë strategjike për ne dhe kjo është një mundësi e madhe për të gjithë operatorët që të diversifikojnë dy portat e ngarkuara për të mundësuar lidhjen me Evropën përmes Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Ky projekt do ta bëjë Shqipërinë një pikë më të rëndësishme?

Peter Fekete: Nëse shikoni me vëmendje projektin dhe rëndësinë e tij, Shqipëria do të bëhet një portë e rëndësishme për trafikun e të dhënave.

Blendi Fevziu: Do të krijohet këtu?

Peter Fekete: Sigurisht. Do të ndërtojmë 16-24 fibra midis Shqipërisë dhe Egjiptit në Detin Mesdhe. Do të mbështeten në një infrastrukturë tokësore të siguruar.

Blendi Fevziu: Ku do të jetë pika mbështetëse?

Peter Fekete: Në Durrës. Më pas do të ndërtojmë një qendër të madhe të dhënash në Durrës. Trafiku do të kalojë në Evropë dhe në portat e tjera përmes kabllove të të dhënave.

Blendi Fevziu: Të gjitha të dhënat që kalojnë nga Lindja në Perëndim përmes Egjiptit do të kalojnë në Shqipëri dhe më pas do të shpërndahen në shtetet e tjera.

Peter Fekete: Po.

Blendi Fevziu: A është projekt i rëndësishëm?

Peter Fekete: Kushton më shumë se 100 milionë euro. Vetëm kabllot. Mirëpo, do të ndërtohen edhe qendrat e të dhënave. Kjo do të sjellë mundësi të reja punësimi për ekonominë shqiptare.

Blendi Fevziu: Çfarë punësh mund të krijohen?

Peter Fekete: Besoj se me qindra vende pune vetëm përreth qendrës së të dhënave.

Blendi Fevziu: Pse zgjodhët Shqipërinë? Për shkak të pozicionit gjeografik?

Peter Fekete: E po, Shqipëria është një vend strategjik dhe ndoshta më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria për ne është porta më e rëndësishme lidhëse. Ne jemi operatorët më të mëdhenj të telekomunikacionit dhe është më se normale që të kalojmë përmes Shqipërisë. Grupi 4iG ka shtrirë 5.500 km fibra optike në Shqipëri.

Blendi Fevziu: 5.500 km fibra optike vetëm në Shqipëri?

Peter Fekete: Po. Në Hungari kemi 11.000 km fibra optike. Aty gjenerojmë trafik të të dhënave mes Lindjes dhe Perëndimit. Me anë të këtij projekti do të çojmë kabllot nënujore deri në Shqipëri dhe do të lidhim këto të dhëna në netuorkun tonë përmes Hungarisë.

Blendi Fevziu: Me anë të kësaj lidhjeje do të arrini deri në Hungari. Po flisni për pozicionin strategjik të Shqipërisë, por a jeni i kënaqur me praninë tuaj në Shqipëri? Thuajse para një viti u bë shkrirja e One me Albtelecom. A jeni i kënaqur me këtë bashkim dhe me aktivitetin në Shqipëri?

Peter Fekete: Absolutisht, po. Jemi të kënaqur, Shqipëria është tregu i dytë më i madh për ne.

Blendi Fevziu: Tregu i dytë më i madh?

Peter Fekete: Po.

Blendi Fevziu: Pas Hungarisë?

Peter Fekete: Po, pas Hungarisë. Nëse shikon distribucionin tonë aktual, do të vëreni se 80-85 % është në Hungari, 15-20 % në Shqipëri dhe Malin e Zi.

Blendi Fevziu: Kjo do të thotë se Shqipëria është e rëndësishme për kompaninë.

Peter Fekete: Po është shumë e rëndësishme për kompaninë tonë dhe kemi shumë pranë vetes.

Blendi Fevziu: A funksionoi shkrirja e dy kompanive?

Peter Fekete: Shkrirja ishte shumë e rëndësishme. Në janar të vitit të kaluar u konkretizua dhe kur folëm për herë të fundit në mars bëmë një ribrandim të kompanisë dhe performanca ka qenë gjithnjë e më e mirë. Sot jemi operatori më i rëndësishëm i telekomunikacionit në Shqipëri. Gjithashtu, po përpiqemi të rritemi akoma më shumë, sepse jemi një grup pro investimeve. Do të investojmë për telefoninë dhe në përmirësimin e rrjetit.

Blendi Fevziu: Mbaj mend se herën e kaluar patëm një bisedë për rrjetin 5G. Është e rëndësishme, por ne nuk e kemi në Shqipëri. A mund të ndihmojë ky projekt për të sjellë 5G në Shqipëri?

Peter Fekete: Ky projekt do të ecë në vijë paralele me këtë. Ndërkohë që po përgatitemi për projektin e sistemit kabllor nënujor, kemi dy mundësi: E para është investimi në fibër në Shqipëri. Kemi plane të rëndësishme investimi për të arritur në të gjitha zonat ku nuk jemi të pranishëm momentalisht. Do të bëjmë shumë investime në rrjetin e fibrës në Shqipëri për të zgjeruar fibrën optike prej 5.500 km. Kjo ishte e para dhe do të jetë e rëndësishme për projektin, sepse me të pasur qendrën e të dhënave dhe të lidhjes do të na duhet më shumë kapacitet. 5G është e rëndësishme sigurisht. Duhet të investojmë për faktin që turizmi dhe popullsia po rriten. Duhet të kemi një mbulim më të mirë me cilësi të lartë. Shpresojmë se agjencia do të lirojë frekuenca, të cilat do të mund t’i blejmë për të investuar në rrjetin 5G.

Blendi Fevziu: Kur mund të kemi rrjetin 5G në Shqipëri? E keni parashikuar këtë?

Peter Fekete: Besoj se në dy-tre vitet e ardhshme.

Blendi Fevziu: Në dy-tre vitet e ardhshme do të kemi internet më të shpejtë. Është një gjeneratë tjetër e internetit.

Peter Fekete: Saktë, por duhet të kemi parasysh se gjithçka kërkon kohë. Do të fillojmë paraprakisht me qytetet e mëdha, aty ku kërkesa është më e lartë. Dy-tre vite do të na duhen për të mbuluar gjithë vendin me rrjetin 5G.

Blendi Fevziu: Vitin e kaluar kemi pasur një bum turistësh në Shqipëri. A ka ndihmuar turizmi në rritjen e biznesit tuaj?

Peter Fekete: Sigurisht. Periudha verore për ne është shumë e rëndësishme. Sidomos për klientët me parapagesë. Kërkesa është e lartë, edhe prej turistëve. Është një proces i rëndësishëm për ne, sepse njerëzit që vijnë nga vendet skandinave, Mbretëria e Bashkuar, vijnë për të vizituar vendin për kulturën, klimën…

Blendi Fevziu: Turistët skandinavë kërkojnë karta me parapagim.

Peter Fekete: Kërkesa vjen zakonisht edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen në Shqipëri për periudhën e verës.

Blendi Fevziu: Po, shqiptarët që kthehen për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Peter Fekete: Po.

Blendi Fevziu: Kam dëgjuar disa thashetheme se kompania One mund të shitet. A është e vërtetë, apo jo? Kam dëgjuar se Grupi 4iG kërkon të shesë kompaninë One.

Peter Fekete: Nuk është aspak e vërtetë. Më duket komike, në fakt, sepse duke parë projektin e ri që kemi me Telekom Egypt dhe misionin që kemi ne për të ndërtuar ura lidhëse mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, më duket e pakuptimtë që të mendosh dhe besosh thashetheme të tilla. Shqipëria do të jetë një portë e re për ne dhe duam të rritemi në vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të lidhim shtetet evropiane me Hungarinë, Shqipërinë dhe kemi në plan edhe shtete të tjera.

Blendi Fevziu: Ju e dini se jetojmë në një botë ku shkruhen lajme të rrema. Kjo ishte arsyeja pse ju pyeta.

Peter Fekete: Kemi dëgjuar lajme për konkurrentin tonë që kërkon ta shesë dhe gjithashtu për ne. Mendoj se janë informacione të pavërteta dhe të pabaza. Njerëzit që i shpërndajnë këto thashetheme kanë planet e tyre, ndaj i shpërndajnë. Duke parë bashkëpunimin mes 4iG dhe One Albania dua të them se jemi shumë mirë. Na pëlqen ky vend, po rritet ekonomikisht dhe dua t’ju them se do të jemi këtu për një kohë të gjatë.

Blendi Fevziu: Herën e kaluar më patët thënë se nuk keni shumë kohë kur vini në Shqipëri. Rrini vetëm disa orë dhe ktheheni përsëri. A planifikoni të bëni pushime në Shqipëri?

Peter Fekete: Patjetër. Unë dhe familja ime mendojmë të kalojmë pushimet verore në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Duhet të jetë diçka e vlefshme si për ju, ashtu edhe për ne.

Peter Fekete: Pa dyshim. Jemi të mahnitur nga Shqipëria, nga kultura juaj, traditat tuaja.

Blendi Fevziu: Shquhemi edhe për kulinari.

Peter Fekete: Absolutisht, po. Kam vënë re se hungarezët shkojnë mjaft mirë me shqiptarët. Vitin e kaluar kemi qenë në Lindjen e Largët, Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara, Evropë. Kemi organizuar takime me investitorë dhe partnerë e klientë. Mirëpo, shqiptarët dhe hungarëzët shkojnë shumë mirë. Janë të afërt me njëri-tjetrin.

Blendi Fevziu: Zanafilla e marrëdhënieve tona është e hershme. Patjetër. Faleminderit që ishit sonte me ne dhe shpresoj t’ju shoh përsëri herën tjetër dhe të kaloni pak më shumë kohë në Shqipëri.

Peter Fekete: Faleminderit! Shpresoj të kthehem sa më shpejt.

Blendi Fevziu: Faleminderit!


Read Entire Article