Kremlini ka mirëpritur fitoren në zgjedhjet parlamentare të shpallur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Serbia dhe Rusia historikisht kanë raporte të ngushta dhe Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Vuçiç ka deklaruar se partia e tij, Partia Progresive Serbe (SNS), ka fituar zgjedhjet e 17 dhjetorit, përderisa autoritetet zgjedhore deri më tani kanë publikuar rezultate preliminare me 35 për qind e votave të numëruara.
“Ne mirëpresim këtë arritje nga zoti Vuçiç”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai shtoi se Moska shpreson që rezultati do të çojë “në forcimin e mëtejmë të miqësisë” mes dy shteteve.
Peskov po ashtu iu referua Serbisë si shtet “vëllazëror”. Sipas rezultateve paraprake, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 50.42 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkaq lista “Serbia kundër dhunës” ka fituar 19.25 për qind. E treta është lista “Ivica Daçiç – kryeministër i Serbisë” me 7.19 për qind të votave.
Ndryshe, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Serbisë ka shprehur mbështetje për fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë, duke shprehur mospëlqim për aleancën ushtarake të NATO-s që mbështet Kievin. Por, Beogradi po ashtu është një qendër e rëndësishme për rusët që kritikojnë luftën e Moskës dhe që po ikin nga vendi.
Serbia ka dënuar agresionin e Rusisë dhe ka mbështetur rezoluta të Kombeve të Bashkuara për të dënuar luftën ndaj Ukrainës. Në nëntor, shefi i inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin – që vizitoi Rusinë gjatë ofensivës ndaj Ukrainës – dha dorëheqje, duke thënë se arsye ishte presioni ndërkombëtar ndaj Beogradit.
Top Channel