Pak më kohë më parë u zbulua nga Prokuroria e Posaçme, një plan që ishte organizuar me qëllim eliminimin e vrasjes së ish-deputetit të PS-së Arben Ndoka.
Në dosjen e SPAK të siguruar për BalkanËeb nga gazetarja Klodiana Lala, evidentohej se organizator i planit ishte Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja.
Në dosje thuhet se Ndoka do të vritej në kafen e ngushëllimit në shtëpinë e një gjyqtari. Ish-deputeti socialist i Lezhës i shpëtoi planit të vrasjes pasi nuk shkoi për ngushëllim në banesën e gjyqtarit të ndjerë.
Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka. Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohet në janar 2021, kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha.
Prokuroria thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish-deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën.
Ky i fundit kishte tentuar disa herë më ndihmën e Ervis Martinaj, Emiljano Shullazin dhe pjesëtarë të grupit kriminal Avdulaj, Aldo dhe Astrit Avdylaj, të vriste Durim Bamin, pasi dyshonte se ishte i implikuar në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Pavarësisht se e ndoqën e vëzhguan për një kohë të gjatë, ata nuk e arritën dot Bamin, pasi lëvizte me makine të blinduar dhe merrte masa të lartë sigurie në çdo lëvizje.
Duke ndjerë rrezikun që i kanosej Bami bën aleancë me Endrit Doklen dhe kërkon të eliminojë Arben Ndokën.
Sipas SPAK, Endrit Dokle kishte marrë përsipër të siguronte informacionin për lëvizjen e ish deputetit Ndoka, Durim Bami dhe Xhelal Rraja ishin organizatorë, ndërsa Marklen Haka kishte marrë përsipër të gjente vrasësit e ish deputetit.
“Nga komunikimet e zbuluara në SKY ECC, Durim Bami ka shkuar në vendin ku mendohej se mund të vinte shtetasi Arben Ndoka me qëllim vrasjen e këtij të fundit”, thekson prokuroria.
Në dosjen e SPAK theksohet se “pasi ka pritur deri në orën 16:04 duke marrë informacion nga Marklen Haka për ardhjen e shtetasit Arben Ndoka, është larguar, pasi ai e ka informuar që të mos rrijë më aty pasi ai nuk do të vinte”.
SPAK thotë së më pas Durim Bami ka komunikuar me Doklen për të mësuar për lëvizjet e Ndokës, por nuk ka marrë informacione të reja, duke dështuar kështu në ekzekutimin e ish ligjvënësit socialist.
Këto të dhëna dalin në dritë në kuadër të megaaksionit të SPAK që goditi 7 grupe kriminale dhe firmosi 50 urdhër arreste për bosë të krimit dhe anëtarë të grupeve të tyre kriminale.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb