Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti bënë thirrje Bashkimit Europian të hedhe hapat që në sytë e tyre janë më të logjikshmit për t’u ndërmarrë në këtë situatë: të heqë masat ndaj Kosovës dhe të ndëshkojë Serbinë për veprime armiqësore ndaj saj e largim nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Osmani i cilësoi krejtësisht të padrejta sanksionet e vendosura nga BE-ja pas tensioneve të muajit maj ishin të padrejtë. Ajo insistoi se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet për largimin e tyre.
“Ka një tendencë që masat të kushtëzohen me zbatimin e dialogut”, tha Osmani.
Kurti, në një postim në rrjetet sociale kërkoi heqjen e masave ndëshkuese dhe që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n.
“Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte detyrimin e njohjes de facto të Kosovës” tha ai, duke shfaqur shpresën se “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione Serbisë, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, dhe për heqjen dorë nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve”, që u arrit më herët gjatë këtij viti.
Top Channel