Pasi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bëri një padi në prokurori në lidhje me humbjen e një hardisku në zyrat e partisë, deputetja Monika Kryemadhi, njëkohësisht bashkëshortja e tij, thotë se e gjitha është një fantazi e krijuar nga një grup njerëzish, të cilët nga rrogëtarë në presidencë, vijnë dhe bëhen rrogëtarë në Partinë e Lirisë.
“Ilir Meta është gënjyer, se kur mbledh rreth vetes njerëz që janë rrogëtare. Sepse një parti politike nuk mbahet me rrogëtarë dhe servilë sedentarë. Ku njerëzit e kanë kokën bosh dhe nuk krijojnë dot aksion opozitar, do krijojnë armikun imagjinar. Serverat e godinës së Partisë së Lirisë fshihen çdo një javë. Mbajnë dhe riformatohen. Ka luhatje tensioni, dhe në luhatje tensioni në një sekondë është fikur dhe është ndezur përsëri. Është problem njohurish. Kur je injorant. Nuk kanë gjetur asgjë. Është një fantazi e krijuar nga një grup njerëzish, të cilët nga rrogëtarë në presidencë, vijnë dhe bëhen rrogëtarë në Partinë e Lirisë. Personat i kanë thënë Ilir Metës jemi përgjuar ne, jo që është përgjuar Ilir Meta. Por shpërdorimi i turpshëm që i bëhet emrit dhe firmë së Ilir Metës. Kryetari partisë nuk firmos paçavure. Kryetari i partisë firmos marrëveshje politike të cilat sjellin benefite tek qytetarët. Me statut për këto gjëra firmos Sekretari i Përgjithshëm, por në këtë rast ka ndodhur e kundërta, kryetari i partisë firmos si administrator godine. Që kjo është e papranueshme për mua për një figurë si Ilir Meta”, tha Kryemadhi.
Ajo tha se konfliktet politike me kryetarin e PL, kanë ndikuar dhe në jetën familjare. Po ashtu, ajo nuk i ka kursyer edhe mesazhet për personat që sipas saj, prishin lumturinë e një familje për të ndërtuar pushtetin e tyre.
“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti. Brenda familjes tonë të vogël kanë ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë se duke shkatërruar lidhjet familjare do të ketë karrierë politike. Nuk është hera e parë që unë dhe Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi konflikte parimore apo morale mes njëri-tjetrit, janë konflikte politike. Ato reflektohen se jemi njerëz dy njerëz që punojmë nga mëngjesi deri në darkë me politik, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme dhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë është njeriu sa të rrojë do të mësojë. Mendjelehtësia më e madhe si te burrat dhe te gratë qëndrojnë kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetri”,-tha Kryemadhi.
Por, si nisën përplaset mes saj dhe Ilir Metës? Kryemadhi tha se djegia e mandateve është justifikim. “Sot Në krah të zotit Meta ke kolegë të mi. Që kemi ndarë bashkë aksionin opozitar nga 2017 në 2021, kemi qenë bashkë në çdo betejë politike të aksionit opozitar. Kemi ndarë mendimet për gabimin që kemi bërë me djegien e mandateve, por ajo që dua të theksoj është që një pjesë e atyre vazhdojnë të jenë sot në krah të Ilir Metës dhe ekipit të tij drejtues. Pra ccështja e ndares e thyerjes për shkak të djegies së mandateve, nuk është thjesht kjo. Dakord, Monika ka djeg mandatet, po pjesa tjetër që ka djeg mandatet dhe sot janë drejtues, kjo është një lloj justifikimi. Nuk mendoj që ka një thelb politik, një konflikt politik, mendoj që ka një sjellje ndryshe, të gabuar të këshilltareve që ka mbledhur”, u shpreh ajo në “Opinion”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb