TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ministria e Brendshme dhe kompania “IdentiTek” njoftuan sot  qytetarët se të gjitha zyrat e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, datë 12 gusht.

Kjo për të lehtësuar shërbimin për qytetarët, që vijnë për të pushuar gjatë verës në atdhe, e njëkohësisht ripajisen me dokumente udhëtimi.

“Procedura për aplikim për pasaportë biometrike ju merr vetëm pak minuta kohë, në zyrën e ‘IdentiTek’, që ndodhet në zonën ku banoni. Së pari, blini një kupon tek çdo zyrë e Postës Shqiptare. Nëse aplikoni për herë të parë plotësoni në e-Albania formularin e Policisë së Shtetit. Nëse dokumenti është rinovim, ky formular nuk është i nevojshëm”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas Ministrisë së Brendshme aplikimi për kartë identiteti mund të bëhet në zyrën ku qytetarët janë banorë, duke u paraqitur me një kupon të blerë në zyrën e Postës Shqiptare. “Riaplikimi për kartë identiteti mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit. E gjithë procedura merr pak minuta”, thuhet në njoftim.

MB dhe “IdentiTek” fton qytetarët që u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit, të kryejnë sa më parë procedurat për rinovimin e saj. Përmes kartës së identitetit përfitohen shërbime online, por edhe mundësia për të udhëtuar në vendet e rajonit me të cilat Shqipëria ka marrëveshje.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.