Pamjet nga ajri janë shfaqur duke zbuluar pasojat shkatërruese të një rrëshqitjeje të madhe dheu që ‘fshiu’ një fshat në Papa Guinenë e Re.
Numri i njerëzve të varrosur të gjallë në katastrofë është trefishuar në më shumë se 2,000, sipas shifrave të fundit nga qeveria, ndërsa frika rritet se pak të mbijetuar do të gjenden, transmeton Telegrafi.
Qendra Kombëtare e Fatkeqësive e rriti numrin e dyshuar të varrosurve për së gjalli në 2,000 në një letër drejtuar OKB-së të lëshuar të hënën. Një agjenci e veçantë e OKB-së e vendosi numrin e mundshëm të vdekjeve shumë më të ulët, në më shumë se 670 persona.
Rrëshqitja e dheut goditi fillimisht fshatin Kaokalam në provincën Enga, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Port Moresby të vendit ishullor të Paqësorit Jugor, rreth orës 3 të mëngjesit të së premtes.
Fillimisht rreth 100 njerëz besohet se janë varrosur nën rrënoja dhe baltë, por punonjësit e shpëtimit thanë se rrëshqitjet e mëtejshme të tokës po vazhdonin dhe numri është rritur në mënyrë dramatike që atëherë. /Telegrafi/