Me përfundimin e seancës së sotme parlamentare pas vetëm 20 minutash, deputetët e Partisë Demokratike kanë paralajmëruar para mediave se aksioni i tyre do të vijojë edhe më tej.
Ina Zhupa u shpreh se shqiptarët do të jenë në rrugë në protestën e thirrur në datën 7 tetor, duke theksuar se “nëse nuk respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut këtij sistemi do t’i dalë flaka”.
“Kur këto padrejtësi iu bëhen deputetëve të opozitës, tregon se shqiptarët sot kanë nevojë për mbrojtjen e opozitës. Shqiptarët do të jenë në rrugë në 7 tetor ora 18.00 që flaka do t’i dalë këtij sistemi nëse nuk respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër Luan Baçi u shpreh se Ervin Salianji do të vijojë fushatën për demokratët nga burgu.
Ai theksoi se kjo situatë ka nisur me arrestimin e Sali Berishës në fund të vitit 2023, ndërsa shtoi se në protestën e 7 tetorit “do të flasë sovrani”.
“Ata janë vandalët e korrupsionit. Na quajnë ne vandalë? Burgosën Ervin Salianjin. Salianji do ta vazhdojë fushatën edhe aty, bashkë me ne, ne nuk do të ndalojmë. Kjo ka filluar në 30 dhjetor 2023 me arrestimin e Sali Berishës. Që atë ditë duhet të kishim ndezur zjarr të gjithë vendin. Sot, arrestuan një deputet të PD, nënkryetarin e grupit parlamentar për fjalën e lirë, pse denoncoi një trafikant droge. Nga denoncimi i Ervin Salianjit trafikanti i drogës shkoi në burg në Romë me këmbët e tij. I vendosin emrin kallëzim të rremë, gjyqësor i Edi Ramës. Në 7 tetor do të flasë sovrani, nuk ka fjalime, do të flasin qytetarët” tha Baçi.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb