“Përfundim absurd, u përsërit penalltia derisa u shënua gol” – Liria me reagim të ashpër për gjykimin ndaj Dukagjinit

8 months ago 4

Ndeshja mes Dukagjinit dhe Lirisë u mbyll me rezultat 2-1, ku klinasit fituan përballjen me një penallti në minutën e dhjetë të kohës shtesë.

Gjyqtari Vigan Ibërdemaj kishte dhënë pesë minuta lojë shtesë, ndërsa penalltia u akordua katër minuta pasi kishte kaluar kjo kohë.

Madje në tentimin e parë, Dukagjini nuk shënoi, ndërsa penallti u përsërit pasi që portieri kishte lëvizur nga vija. Në tentimin e dytë erdhi goli i fitores për Dukagjinin.

Liria ka reaguar ashpër pas ndeshjes, duke e fajësuar gjyqtarin, që sipas tyre ua vodhi një pikë.

“Referim skandaloz në Klinë. Vigan Ibërdemaj regjisor i fitores. Ndeshja e zhvilluar në Klinë, mezi gjeti fundin. Ndonëse, loja  u zhvillua në presion, sidomos nga gjyqtari Ibërdemaj dhe, ajo pati përfundim absurd”.

“Zgjatja pa nevojë e ndeshjes, kur në min. 99 u akordua penallti e cila u përsërit derisa Dukagjini shënoi gol. Kjo çfarë ndodhi në Klinë i qoftë për turp Viganit dhe shokëve të tij. Ne, na u vidh pika që e merituam, e në bazë të rasteve merituam edhe më shumë”.

“Ftojmë organet e FFK-së që të marrin masa ndaj këtyre ‘gjyqtarëve’, sepse kështu s’kanë çka kërkojnë në Prizren. Ne, nuk do të dorëzohemi. Do të luftojmë ndershëm deri në fund”, thuhet në njoftimin e klubit.

Liria mbetet në vendin e fundit në renditje me vetëm 9 pikë. /Telegrafi/

Read Entire Article