Përmbyllja e misionit të UNMIK-ut/ Profesori: Duhet të mbyllet, por ky shtet është kundër – Ja pse i konvenon Serbisë ky mision në Kosovë

2 hours ago 22

Dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, u mbajt takimi i radhës, ku u diskutua edhe për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ishte përfaqësuese e vendit tonë.

Ajo tha se bota e dëgjoi të vërtetën.

Sipas saj, “para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në përballjen e parë para Kombeve të Bashkuara me Ministrin e Jashtëm të Serbisë Marko Gjuriq, u pa qartë që vetëm fytyrat kanë ndërruar, por jo edhe strategjia për të luftuar Republikën e Kosovës me gënjeshtra, sajime dhe propagandë”.

Ajo që u theksua nga ministrja Gërvalla ishte edhe misioni i UNMIK-ut, ku sipas saj ky mision duhet të përmbyllet sa më shpejt.

“Përfaqësuesit e UNMIK-ut përsëri dëshmuan para gjithë botës që nuk qëndrojnë gjithmonë në anën e së vërtetës dhe jo rrallë shërbehen me propagandën që iu servohet. Ka ardhur koha të përmbyllet ky mision”, tha ajo.

Juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, thotë se për mbylljen e misionit ët UNMIK-ut në Kosovë nuk ka konsensus mes aleatëve tanë, sepse Franca është pro UNMIK-ut.

“Po tash e sa kohë ka pas intenca nga SHBA, Japonia, Britania të përmbyllet misioni UNMIK por Franca ishte pro ende UNMIK-ut, ende nuk ka konsensus tek aleatët tanë që njëzëri të flasin dhe ta përmbyllin një mision të parëndësishëm dhe të pandikueshëm, mision formal, kuptohet edhe raporti periodik nuk ka nevojë të bëhet nga ky mision”, thotë ai.

Sipas tij, kërkesa e Gërvallës është legjitime. Më tej, ai thotë se ky mision vetëm Serbisë i konvenon se Kosova qeveriset me 1244, andaj do të ishte mirë të përmbyllet.

“Kërkesa mund të jetë legjitime e Gërvallës, por kjo varet prej shumë mekanizmave dhe politikave të OKB /KS që vështirë ka dakrodim për të nxjerr një vendim, normal se Serbisë ky raportim i vyen politikisht se mban gjallë shpresën e Serbisë se Kosova qeveriset me 1244 , prandaj është e udhës që ky mision të përmbyllet sa më parë, rrethanat fatkeqësisht nuk e favorizojnë mbylljen e këtij misioni edhe Rezoluta 1244 mbetet në fuqi për shkak se KFOR ka mandat”, përfundon ai për “Bota sot”.

Kujtojmë, se misioni i UNMIK-ut në Kosovë është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës së tij 1244 (1999).

Misioni ka mandat për të ndihmuar në sigurimin e kushteve për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të avancuar stabilitetin regjional në Ballkanin perëndimor.

comment

Read Entire Article