Përplasjet në Kryesinë e Kuvendit, Bardhi: Nikolla, në kushtet e pastra të shpërdorimit të detyrës

11 months ago 28
10:53 06/11/2023

Disa deputetë të Partisë Demokratike janë përplasur këtë të hënë me Gardën në derën e Kryesisë së Kuvendit pasi disa prej deputetëve të përjashtuar nuk u lanë që të futen brenda Kryesisë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se Lindita Nikolla po e trajnon Kryesinë e Kuvendit si “vilën e saj”.

Ai tha se po pret që të marrë njoftimin nga Garda se pse nuk po lejohen të hyjnë deputetët opozitarë. Sipas tij, kryeparlamentarja Nikolla është në kushtet e pastra të shpërdorimit të detyrës.

“Ne do të presim të marrim njoftimin me shkrim të Gardës që të kemi mundësinë të bëjmë shtesë në kallëzim ndaj kryetare së Kuvendit. Nuk mund të ndalohen deputetët të marrin pjesë në mbledhje grupi, të aksesojnë zyrat e tyre të shtetit. Zyrat nuk janë private të Lindita Nikollës, janë të shtetit. Nuk ka asnjë rregull që të pengosh deputetët të kryejnë detyrën e tyre. Është në kushtet e pastra të shpërdorimit të detyrës”, u shpreh Bardhi.

Ai tha se deputetët kishin në plan që të bënin mbledhjen e grupit për të diskutuar mbi vijimin e aksionit opozitar.  

“Ne kishim plan si fillim që të bënim mbledhjen e grupit për të diskutuar mbi vijimin e aksionit opozitar. Nuk jemi lejuar që të marrim pjesë as në mbledhjen e grupit tonë parlamentar. Është absurditeti më i madh që mund të ndodhë në një vend anëtar të NATO-s, vend kandidat për në BE. Ky është Kuvendi i Shqipërisë. Kanë vendosur Gardën”, tha Bardhi./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article