Pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën, kaosi me “kërcënimin” e Macron në Tiranë. Çfarë ndodhi brenda dy orëve nga deklarata e presidentit francez

11 months ago 10
Reklamë

Një deklaratë e Presidentit të Francës për pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën si shenjë e thyerjes së besimit që vendet e BE-së kanë treguar ndaj Prishtinës, shkaktoi një “furi” të vërtetë që vuri në lëvizje agjenci lajmesh, por edhe vetë zyrën e kreut të shtetit francez.

Fillimisht ishte përkthimi zyrtar i bërë në Tiranë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, sipas të cilit, Macron thotë se “vizat janë pezulluar”. Kjo bëri që agjenci të rëndësishme lajmesh si AFP dhe Deutsche Welle të kërkojnë më shumë informacion për deklaratën e në fund ishte vetë zyra e Macron që sqaroi se “çështja është ende e hapur”.

Ajo që bie në sy në raportin e Deutsche Welle, në përkthimin që i është bërë Macron nuk flitet në asnjë vend për pezullim të liberalizimit të vizave, ndërsa AFP e ka lexuar deklaratën e Presidentit të Francës si një “kërcënim” për Kosovën.

Deklarata e Macron me Ramën

Pres që Presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga Presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me shumë qartësi, ne u kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të atashohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën.

Lajmi në Deutsche Welle

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Saktësimi i zyrës së Macron

Zyra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ‘mbetet e hapur’, në një deklaratë për shtyp të martën pas deklarimit publik të presidentit Macron lidhur me pezullimin e procesit të vizave.

Presidenti Macron tha të martën në Tiranë se Franca mund ta pezullojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës, për shkak “të mos respektimit të fjalës së dhënë”, duke e akuzuar Kosovën se nuk e mbajti fjalën e dhënë për formimin e Asociacionit.

Nga Zyra e Presidentit të Francës, janë sqaruar lidhur me këtë çështje përmes një deklarate për mediat shqiptare.

“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”, tha Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për mediumin ABC News.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article