“Plarent Ndreca nën hetim nga SPAK”/ Gazment Bardhi: Shkeli ligjin në paracaktimin e fituesit të tenderit të rikonstruksionit të Komisariateve dhe rriti fiktivisht vlerën

3 hours ago 90

Anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi ka denoncuar përmes një konference për shtyp nga selia blu, lidhjet e deputetit socialist, Plarent Ndreca me inceneratorin e Tiranës. Sipas Këlliçit, Ndreca del në skenë përmes ortakut prej shumë vitesh në kompaninë e tij i cili rezulton i arrestuar dhe dënuar për krijimin e skemave mashtruese financiare.

Mbi denoncimin ka reaguar vetë zoti Ndreca, ku në një postim në rrjetin social Facebook e quante denoncimin e këlliçit si përpojekje për intimidim.

Ndërkohë vjen edhe reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se Ndreca është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Sot një deputet periferik i Edi Ramës paska sulmur me gjuhën e gënjeshtrave të Erion Veliajt kolegun Belind Këlliçi. Është i njëjti deputet i PS që gënjeu të enjten publikisht në emisionin “Opinion” kur tha që s’ka asnjë problem në SPAK.

E vërteta është që Plarent Ndreca, deputeti i Edi Ramës, është nën hetim në procedimin penal nr. 240/2021, bazuar në një Referim (kallëzim/informacion) të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, të kryer në bashkëpunim, me abuzim miliona euro për rikonstruksionin e disa godinave të Komisariateve (Komisariatet nr.4 Tiranë, Vlorë, Mirditë dhe Pogradec).

Ndryshe nga balta që ai hedh me gënjeshtra ndaj kujtdo që i thotë të vërtetën në sy, që ai është një shkelës recidivist i ligjit, për Plarent Ndrecën qartësisht sipas dokumenteve zyrtare, SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ai ka shkelur ligjin duke paracaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit.

Nga hetimi i deritanishëm janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi mbi prokurimin publik, duke cënuar barazinë e pjesëmarrësve në këto procedura prokurimi dhe që kanë krijuar rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit.

Nëse Plarent Ndreca mendon që për shkak se është një deputet periferik dhe jashtë fokusit të opinionit publik, mund të amnistohet nga SPAK, gabohet rëndë! Lidhur me këtë çështje, Grupi Parlamentar i PD-së po pret që SPAK të bëjë detyrën e vet, duke e ndjekur nga afër të gjithë procesin dhe duke disponuar të gjitha faktet që provojnë shkeljen e rëndë të ligjit dhe përgjegjësinë penale për deputetin e Edi Ramës!

Bashkëlidhur pjesë nga dosja hetimore nr. 240/2021 të SPAK!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article