Një bandë kriminale punonjësish të aeroportit Tenerife në Spanjë, është shkatërruar nga policia spanjolle, pasi ata kishin vjedhur mallra me vlerë afro 2 milionë euro nga valixhet e pasagjerëve.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia ka arrestuar 14 persona dhe po heton 20 të tjerë në lidhje me rastin.
Thuhet se grupi i kriminelëve ka vepruar me një plan të hollësishëm për të vjedhur mallrat.
Ata ngarkonin dhe shkarkonin valixhet me një ritëm më të ngadaltë, në mënyrë që të kishin kohë të hapnin ato e të mos linin asnjë shenjë.
Gjithashtu, ata përdornin “pëlhura të ngurta gome” për të ndaluar rrëshqitjen e valixheve.
Mes objekteve të vjedhura ishin stoli, telefona, orë, pajisje elektronike, dhe para, me një vlerë totale prej 1,953,571 euro.
Sipas Gardës Civile të Spanjës, banda vepronte në mënyrë hierarkike, dhe secili anëtar kishte një rol të caktuar.
Të arrestuarit po përballen me akuzat për anëtarësim në një grup kriminal, grabitje me forcë, dëmshpërblim, dhe pastrim parash.
Bëhet e ditur se për deklaratë rreth kësaj ngjarje janë kontaktuar edhe kompanitë e fluturimeve Ryanair, easyJet, Jet 2, dhe British Airways. /Telegrafi/