Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë sot e pranishme në ceremoninë shtetërore të përcjelljes në banesën e fundit të Ismail Kadaresë.
Përmes një statusi Osmani ka ndarë fotografi nga pjesëmarrja teksa shkruan se veprat e Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor.
Më tej Osmani shprehet se aftësia e tij për të ndërthurur mitet dhe realitetin e bëri një nga më të veçantët dhe të fuqishmit në letërsinë bashkëhore.
Postimi i plotë i Osmanit:
“Me zemër të rënduar i thamë lamtumirë penës së shquar dhe kolosit të papërsëritshëm, fjalët e të cilit kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën. Për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor. Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!’’, shkruan Osmani.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb