Ka vijuar sot në Belgjikë një nga proceset e tjera “SKY ECC” me 40 të pandehur, kryesisht shqiptarë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine në kuadër të dosjes “Black Eagle”. “Kam mbërritur në Belgjikë në mars 2020. Qëndrova me një mik shqiptar në Antwerp. Jepja nga punët e çuditshme”, deklaroi një i pandehur në gjyq, në lidhje me trafikun e gjerë të drogës, të premten përpara gjykatës penale nga Brukseli. “Kam bërë dërgesa me çanta të vogla, pa e ditur se çfarë përmbanin”, sqaroi më pas i pandehuri, duke mohuar të ketë marrë pjesë në trafik të madh droge.
I pyetur për identitetin e personit që i ka dhënë pakot për t’i dorëzuar, i pandehuri është përgjigjur se nuk dinte asgjë. Ky burrë me kombësi shqiptare u mor në pyetje edhe për praninë e tij një mbrëmje në portin e Gentit, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas hetimeve, personat në bordin e një kanoe të fryrë po përpiqeshin të arrinin një varkë për të rikuperuar një ngarkesë droge. Sipas dosjes, i pandehuri ishte duke pritur në një furgon aty pranë. “Po, unë isha atje, por nuk e dija se bëhej fjalë për drogë,” argumentoi ai edhe një herë, “dhe shkova në Gent vetëm një herë.”.
Në këtë proces gjyqësor akuzohen 40 persona për pjesëmarrje në një organizatë kriminale aktive në trafikun e drogës. Hetimi, me emrin e koduar Black Eagle, nisi në shtator 2020 kur policia zbuloi në kuti garazhi në Evere, disa kilogramë kanabis dhe një sasi të madhe acetoni, por edhe një fuçi lëngu në të cilin ishte ekuivalenti i 600 kilogramëve kokainë të holluar. Sipas hetimeve, bëhej fjalë për laboratorë klandestine ku kokaina nxirrej, me procese kimike, nga substanca të ndryshme të ligjshme si tul frutash apo qymyr, të importuara me konteinerë nëpërmjet portit të Antëerpen dhe atij të Gentit. Disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar më parë nga mediat si Artur S., Indrit. K., Arben I., apo kosovari Bashkim O., të konsideruar ndër lojtarët më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Në këtë dosje janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri dhe të tjera detaje pritet të dalin në seancat në vijim.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb