Projekti për Portin e Durrësit, Berisha: Do e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese

11 months ago 15
19:23 11/11/2023

Ish-Kryeministri Sali Berisha paralajmëron se projektin për Portin e Durrësit do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe për hetime.

Këtë deklaratë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e bëri nga Durrësi ku zhvilloi një bashkëbisedim me anëtarë dhe simpatizantë të forcës politike.

Sipas Berishës, apartamentet në Portin e Durrësit do t’i marrin klanet e drogës.

“Patëm probleme dhe i dini vetë. Patëm probleme të mëdha sepse kishte arritur të fusë në thes, njeriun që u udhëhiqte, për meritën tuaj, shumica juaj nuk i besonte. Po e kishte futur në thes, e kishte blerë, e kishte shpërfytyruar, degraduar. Por këto janë mbrapa. Tani jemi opozitë e vërtetë dhe me të vërtetën që besojmë, do shpëtojmë Shqipërinë. Ky takim është një takim për shpëtimin e Durrësit. Çfarë po ndodh? Durrësi, një qytet mijëravjeçar, Durrësi nuk do ishte kurrë qytet, po të mos ishte porti. Pa portin, kudo ka pasur qytezë dhe qytete nëpër Shqipëri, do ishin rrënojat e tij.

Por Durrës të përjetshëm e ka bërë porti, e kanë bërë qytetarët e tij. Durrësi, ky port, edhe në kohërat më të hershme, ishte porti i rrugëve kryesore të Europës. Ky port për kombin ishte krye-ura e tij me Perëndimin. Në këtë aspekt, porti ka qenë një artere, një aortë për identitetin tonë perëndimor. Pa këtë port, ne nuk mund të themi se çfarë identiteti mund të kishim sot.

Ky tani del dhe na merr portin për të ndërtuar me arabin e tij Dubain. Nuk ka nevojë Durrësi për Dubain, nevojë Durrësi ka për Europë, nevojë porti ka për Europë. Duhet të jetë port siç ka qenë në të gjitha kohërat, port kryesor i Ballkanit drejt Europës. E vërteta është se në 1.4 milionë metër katrorë ku ai ka vendosur të ndërtojë 12 mijë apartamente, asnjë qytetar i Durrësit, që ka aty mundin, djersën dhe ndoshta edhe kockat e njerëzve të vet, i cili është aksioner në të gjitha ligjet në ato 1.4 milionë metër katror, nuk merr një metër të vetëm në 12 mijë apartamente.

Po kush i merr? I merr Alabari? Jo, ai është zotuar për 70 milionë. Kush i merr? I marrin klanet e drogës, i merr Sinaloa e Meksikës, e lidhur direkt me Edi Ramën. I marrin klanet e tjera të drogës që kanë për kryeqendër Dubain. I merr Amant Josifi me Olsi Ramën, të cilët vodhën 2.2 miliardë euro të europianëve me skemën e Bitcoin. Dhe tani duan të kthehen të rrëmbejnë portin. Jo mo, kurrë nuk e lejojmë portin.  Kur të bjerë porti, ka rënë Shqipëria, jo Durrësi. Prandaj dhe ne nuk e falim portin, Edi Ramës. Ka këtu në sallë që kujtojnë se si u shemb bursi, se si u hodhën veprat e Enver Hoxhës në rrugë. Ai ishte akt kundër pushtuesit. Të njëjtën gjë po bën Edi Rama. Do të pushtojë portin.

Portin nuk ia falim kurrë Edi Ramës. Ne do e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese, do e çojmë në hetime. Por ne do e mbrojmë portin me të gjithë potencialin tonë. Jo vetëm Durrësi, por gjithë Shqipëria do mbrojë portin. Porti është i përjetshëm, porti nuk preket”.

Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama edhe për blerje të votave dhe përfshirjen në zgjedhje të bandave kriminale, për të cilat tha se nuk do ta falin kurrë kreun e qeverisë.

“Kur dëgjoni sot këtu, me shumë të drejtë mund të pyesni: pse kjo, pse ky kushtrim tani?

Po, me ju do flas haptas. I kishim disa detyra për t’i kryer. I kishim. Ndoshta rendi i tyre mund të ishte edhe më ndryshe, por gjykoj se kryerja e tyre ishte e domosdoshme. Kaluam një proces, asnjëri prej jush nuk e donte, por na diktoi një proces. E kishte futur në xhep atë pazarxhiun tonë. Pas tij, erdhën zgjedhjet. Çdonjëri prej nesh e dinte se zgjedhje nuk do kishte, por ne zgjedhjet nuk mund t’i braktisnim sepse me braktisjen e zgjedhjeve lokale, ne u bëmë faktor për rikthimin e monizmit në pushtetin vendor. Ne duhej të merrnim pjesë. Ne jemi parti e pluralitetit dhe pluralizmit. Mirëpo fushata dhe protesta nuk shkojnë. E hoqëm edhe fushatën. I pamë fytyrat e vërteta të krimit. I pamë në Durrës që erdhën nga Dubai për të shkelmuar votën tuaj, i pamë në Shkodër që dolën nga burgjet për të marrë votën e Shkodrës, i pamë në Elbasan si dolën vrasësit për të marrë votën, i pamë në Lushnje, i pamë kudo. Pra, ne përjetuam një proces, për të cilin nuk e falim kurrë Edi Ramën. U detyruam të futemi pa emër dhe pa logo në fushatë. U detyruam të garojmë me 61 kandidatë, pa asnjë qindarkë nga fondet publike. U detyruam të garojmë pa asnjë numërues, u detyruam të garojmë në një kohë kur ky narkodiktator shpërndau 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë për të blerë votat e pensionistëve. Në një kohë kur ky narkodiktator shpërndau miliona për dëme tërmeti, etj. Mendoni se i detyruam këto për t’u nënshtruar? Jo, kurrë, nuk ka forcë në botë që na nënshtron ne në të drejtën tonë. Por i detyruam këto për të korrigjuar atë vendim të tmerrshëm që kishim marrë për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Dhe në gjithë Shqipërinë, ne kishim vetëm një kryetar bashkie. Dhe unë e sulmoj atë për monizmin, por partia ime ishte shndërruar në levë të tij për vendosjen e monizmit. Ky durim mori fund, zgjedhjet mbaruan, ia pamë fytyrën, e pamë që ky ishte një armik i egër i votës së lirë. E pamë se si këtu në Durrës, Shkodër, Elbasan, Tiranë, kudo, krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.

Tani është koha e betejës. Tani jemi në fushë. Tani është koha e fitores. I them atij, i them Edi Ramës, çfarë do që të bësh, nuk do i shpëtosh dot këtij revolucioni. Nuk do i shpëtosh dot kësaj kryengritje. Nuk do i shpëtosh dot kësaj lëvizje. Opozita është në këmbë. Opozita është në aksion. Opozita është në fitore”.

/tvklan.al


Read Entire Article