Propozimi i Haradinajt për “rotacion qeverisës”, analistët thirrje LDK-së: Nuk duhet të pranohet kjo ofertë!

2 hours ago 26

Duke e ditur se nuk ka gjasa që të dalë i pari në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar që pas zgjedhjeve të përgjithshme të bëjnë bashkëpunim me PDK-në dhe LDK-në për postin e kryeministrit.

“Nuk është mirë Kurti me vonuar vetën e vet. Ka pasoja dhe thellon pasojat. Ne nuk kem qare pa i sanuar këto pasoja. Për këtë arsye unë e kërkojë udhëheqjen e Qeverisë, qoftë me rotacion që tre opozitarët të merren vesh njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit. Unë kërkojë udhëheqjen e Qeverisë në fillimin e qeverisjes me qëllim që me i kthye këto marrëdhënie të besueshme, kontraktuale me SHBA-në dhe aleatët e tjerë. Me i krye disa punë të vështira që pastaj qeverisja me qenë e zakonshme, e zhvillimit ekonomik. Por, vazhdimi i mbetjes në pushtet i Kurtit nuk është opsion është e kryne kjo pjesë”, është shprehur Haradinaj.

Por, sa do ta dëmtonte një ofertë e tillë LDK-në dhe si do të ndikonte një koalicion i mundshëm me PDK-në e AAK-në, folën analistët politik. Ata në deklarimet e tyre për “Bota sot” e kundërshtuan në ide të tillë dhe e cilësuan si të dëmshme për LDK-në.

Haradinaj nuk çka t’i jap më Kosovës

Analisti Nexhat Haziri thotë se kjo ide nuk do të pranohet assesi nga LDK dhe PDK.

Image

Nexhat Haziri

“Propozimi i Haradinajt për udhëheqje me rotacion të qeverisë në rast se opozita arrinë që ta siguroj shumicën nga zgjedhjet e 9 shkurtit, është propozim që nuk do të pranohet nga dy partitë politike, LDK dhe PDK, dhe kjo për shumë arsye, e njëra nga këto është se Haradinaj nuk ka çfarë t’i jap Kosovës as ai e as subjekti i tij politik e përtej kësaj nuk ka as kredibilitet politik, vizion e profesionalizim për ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje në të cilën e solli qeveria Kurti”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, LDK tashmë ka dëshmuar gatishmërinë për të marrë përgjegjësi për udhëheqjen e qeverisë së ardhshme.

“Sa i përket LDK-së, shihet se ka një përkushtim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi në qeverisjen e vendit, duke e mbështetur në një ekip më kuadro profesionale dhe integritet moral e politik, me program të besuar dhe të realizueshëm, i cili i duhet vendit për të dalur nga kjo agoni në të cilën është futur”, thotë Haziri.

“Një gatishmëri të tillë e shohë edhe të PDK-ja, dhe një koalicion i mundshëm në mes këtyre dy subjekteve politike, nuk është shkatërrim për LDK-në, por do të jetë shpresë për vendin dhe qytetarët. Kosova e izoluar, me sanksione, me raporte të përkeqësuara me partnerët e vet strategjik, me një diplomaci në kaos që nuk siguron njohje dhe anëtarësim në organizata dhe institucione ndërkombëtare, me ngërç në zhvillimin ekonomik, pa investime, me një shëndetësi të sëmurë, me një sistem arsimi që po degradon çdo ditë dhe regres në fusha të tjera, duke bërë që Kosova të gjendet në këtë situatë të pashpresë dhe e cila kërkon një veprim të shpejtë nga një qeveri e përgjegjshme të cilën mund ta ofroj opozita”, përfundon analisti Nexhat Haziri.

Propozim jo serioz

Se propozimi i Haradinajt është jo serioz dhe nuk duhet të merret parasysh e thotë edhe Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj dhe aktivist shumë vjeçar i LDK-së.

Image

Saim Tahiraj

"Një propozim i tillë është jo serioz dhe i parealizuar sepse vjen nga një parti e vogël që nuk fuqi imponuese. Besoj që LDK nuk do e marrë fare si serioze një propozim të tillë, madje duhet injoruar pa diskutim”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, lidhja e koalicioneve me PDK-në dhe AAK-në, kanë qenë fatale për LDK-në.

“LDK duhet të shkoj në zgjedhje pa koalicione paraprake dhe pas zgjedhjeve në bazë të fuqisë së votave të zgjedhë partnerin për koalicion. Historiku i koalicioneve ka qenë fatal për LDK-në, sidomos me PDK-në i cili e ka dëmtu në masë të madhe. LDK duhet të jetë e matur në përzgjedhjen e partnerit të koalicionit pasi janë shumë plagë të hapura nga e kaluara, sidomos në raport me PDK-në dhe AAK-në”, shprehet Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Read Entire Article