PS, 5 orë Asamble Kombëtare. Akuzat e Ahmetajt, Rama: Broçkulla, drejtësia të bëjë punën

8 months ago 9
19:31 11/02/2024

Për herë të parë, por pa ia përmendur në asnjë moment emrin, Kryeministri Edi Rama pranoi t’i përgjigjej akuzave që lëshoi ish-numri dy i qeverisë së tij, Arben Ahmetaj. Sipas kryesocialistit, sa kohë që kjo është një çështje e drejtësisë, nuk mund të merret me këto akuza, aq më shumë që sipas tij, të gjithë personat që kanë çështje të hapura me drejtësinë vuajnë nga e njëjta sindromë.

“Dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi dhe për pyetjet që më bëni, është një pyetje e tepërt, e kotë, e përsëritur që ka vetëm një përgjigje. Partia Socialiste, unë dhe të gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë dhe çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye”.

Të gjitha pyetjet për akuzat e ish-zv/kryeministrit morën të njëjtën përgjigje nga Edi Rama.

“PS nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë kjo vlen për të gjithë dhe nuk do të ndryshojë. Kemi sot një ditë të re në rrugëtimin e gjatë, kemi një pikë të re strukturën antikorrupsion për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur. Koha kur flamuri i secilës parti ishte gjethe fikur ose çarçaf për të mbuluar hijet më trup ka vdekur”.

Fakti që Sekretari i Amerikan i Shtetit Antony Blinken zgjodhi Tiranën si vendin e vetëm në rajon për ta vizituar javën e ardhshme, për Ramën është tregues vlerësimi për vendin.

“Unë besoj se ka një domethënie të veçantë ardhja e Sekretarit të Shtetit në Tiranë, për kontekstin në të cilin sot ndodhet Europa dhe bota, për kohën shumë të ngarkuar për një Sekretar Shteti që fakti se e gjen të nevojshme dhe vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin, flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe se çfarë përfaqëson sot Shqipëria në sytë e aleatëve tanë strategjikë, lidhur me këtë rajon, ku me krenari e them Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, për të ndërtuar rrugët e bashkëpunimit, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për t’u ndarë nga një e kaluar e mbushur me tragjedi, e mbushur me prapambetje, e mbushur me raste të pafundme të humbura për t’i lënë një vend më të mirë gjeneratave të tjera”.

Pas mbledhjes maratonë prej 5 orësh të Asamblesë Kombëtare, që analizoi me detaje çdo problematikë të organizimit në çdo degë të PS-së, vetë Rama tha se ndihej i kënaqur nga rezultatet.

“Kemi konstatuar me kënaqësi që në këtë proces paraprak kanë marrë pjesë aktivisht mbi 55 mijë anëtarë të Partisë Socialiste. Ka pasur një sërë problematikash të lidhura me organizimin, me komunikimin me të gjithë anëtarët, duke patur parasysh që ka patur lëvizje demografike të brendshme edhe nga brenda-jashtë, edhe nga jashtë-brenda”.

Por po vetë pranoi se nuk munguan kritikat, por jo nga ai, por ndërgjegjia e çdonjërit prej anëtarëve të Asamblesë pas rezultateve të prezantuara.

“Unë kam pakënaqësi për çdo gjë që bëj vetë, për çdo gjë që bën qeveria, për çdo gjë që bën Partia Socialiste, sepse pakënaqësia më ka çuar dhe më çon përpara dhe pa pakënaqësi do të thotë që nuk kemi më asgjë për t’i dhënë këtij vendi dhe shyqyr që kemi pakënaqësi dhe shyqyr që bashkëjetojmë me nevojën për të qenë të pakënaqur, sepse po ramë në vetëkënaqësi, atëherë nuk kemi më funksion.0

Analiza vjen si domosdoshmëri një vit përpara zgjedhjeve të 2025, që Rama beson fort se do sjellë fitoren më të thellë që ka shënuar forca që drejton.

“Me më shumë se asnjëherë tjetër. Se sa do jenë do t’ju themi rrugës kur të jemi shumë të qartë sepse ne dimë se çfarë kërkojmë kur shkojmë në zgjedhje e ndryshe nga shumëkush që komenton rezultatet tona duke ia mveshur ato arsyeve nga më të ndryshmet, por jo arsyeve të vërteta, nuk ka kuptuar akoma se me kë ka të bëjë kur i del përballë Partisë Socialiste”.

Asambleja i hapi rrugën procesit zgjedhor në Parti që nis nga 15 Shkurti, ndërsa në 16 Mars, anëtarët e këtij forumi do të rimblidhen kësaj here në Durrës, për analizuar rezultatet.

Tv Klan


Read Entire Article