Pse është kjo verë kaq e nxehtë?

1 year ago 22

Është nxehtë. Shumë nxehtë. Dhe jemi vetëm në javët e para të verës.

Gati një e treta e amerikanëve – mbi 113 milionë njerëz – janë të paralajmëruar për rrezikun e motit të nxehtë, ka thënë Shërbimi Kombëtar për Motin në Shtetet e Bashkuara.

Në SHBA, temperaturat pritet të shënojnë rekord të ri. Në El Paso dhe Teksas, temperaturat kanë qenë mbi 37 gradë Celsius për 27 ditë me radhë, duke e tejkaluar rekordin e vitit 1994.

Vala e të nxehtit: SHBA mund të regjistrojë rekord të ri

Në Mbretëri të Bashkuar, i nxehti i qershorit jo vetëm që ka thyer rekorde, por i ka tejkaluar bindshëm temperaturat paraprake.

Qershori i këtij viti ka qenë 0.9 gradë Celsius më i nxehtë sesa në të kaluarën.

Situatë e ngjashme raportohet edhe në Afrikën e Veriut në Lindje të Mesme dhe Azi. Prandaj nuk ka qenë befasi që qershori është shpallur viti më i nxehtë ndonjëherë në histori.

Dhe ai i nxehtë nuk është zbehur. Tri ditët më të nxehta ndonjëherë janë regjistruar javën e kaluar, sipas Shërbimit të Bashkimit Evropian për Klimë dhe Mot, Copernicus.

Temperatura mesatare në botë e ka prekur shifrën 16.89 gradë Celsius më 3 korrik dhe e ka tejkaluar shifrën 17 gradë për herë të parë më 4 korrik, me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius.

Më pas, më 5 korrik është regjistruar temperatura 17.05 gradë Celsius. Këto temperatura përputhen me modelet klimatike që veçse janë parashikuar, ka thënë profesori Richard Betts, shkencëtar për klimën në Universitetin Exeter.

“Ne nuk duhet të befasohemi nga temperaturat e larta në botë”, ka thënë ai. “Ky është një përkujtues, për të cilin kemi dëgjuar që një kohë të gjatë, dhe ne do të jemi dëshmitarë të motit edhe më të nxehtë, derisa të ndalojmë së lëshuari më shumë gazra serrë në atmosferë”.

Kur e mendojmë sa nxehtë është, ne mendojmë për temperaturën e ajrit, sepse atë e përjetojmë në përditshmëri. Mirëpo pjesa më e madhe e të nxehtit që ruhet në sipërfaqe të Tokës, nuk është në atmosferë, por në oqeane.

Dhe ne e kemi parë që temperaturat e oqeaneve kanë shënuar rekord në pranverë dhe verë të këtij viti. Shembull, në veri të Atlantikut, temperaturat aktualisht janë më të lartat ndonjëherë.

Administrata amerikane për Oqeane dhe Atmosferë e ka vendosur këtë valë të të nxehtit në kategorinë e katërt. Një kategorizim i tillë përdoret rrallë jashtë vendeve tropikale dhe konsiderohet “i nxehtë ekstrem”.

Kësaj situate është duke i kontribuuar edhe fenomeni El Nino, që është aktiv në Paqësor. El Nino është fenomen që ngroh ujërat në brigjet e jugut të Amerikës dhe më pas ato përhapen nëpër oqeane.

Nëse uji i deteve është më i nxehtë sesa zakonisht, edhe ju do të përballeni me temperaturë të lartë të ajrit, ka thënë Tim Lendon, profesor për ndryshime klimatike në Universitetin Exeter.

Ai sqaron se pjesa më e madhe e të nxehtit është krijuar nga gazrat serrë dhe është ruajtur nëpër sipërfaqe të oqeaneve. Ndonëse ai i nxehtë ka tendencë të zhytet brenda në oqeane, fenomene sikurse El Nino, mund ta nxjerrin atë sërish mbi sipërfaqe.

“Kur ndodh diçka e tillë, sasi e madhe e të nxehtit del në atmosferë”, ka thënë profesori Lenton.

Është e lehtë të mendojmë se ky mot tejet i nxehtë është i pazakonshëm, mirëpo e vërteta e dhimbshme është se ndryshimet klimatike nënkuptojnë se tani do të jetë normale që të përballemi me temperatura rekorde.

Gazrat serrë vazhdojnë të emetohen çdo vit, madje me trend në rritje. Sa më e nxehtë temperatura globale, aq më shumë rrezik për valë të të nxehtit, ka thënë Friederike Otto, eksperte për klimën në Institutin për ndryshime klimatike, Grantham.

“Këto valë të të nxehtit, jo vetëm që do të jenë më të shpeshta, por edhe më të nxehta dhe më gjata”, ka thënë ajo.

Ekspertët veçse kanë parashikuar se El Nino mund ta bëjë vitin 2023, më të nxehtin ndonjëherë në botë.

Temperatura e Tokës është rritur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, përveç nëse qeveritë në mbarë botën marrin hapa për t’i ndalur emetimet e karbonit./ REL

Top Channel

Read Entire Article